Në një debat me ekspertë të trashëgimisë kulturore,profesorë të historisë si dhe përfaqësues të ndryshëm të institucioneve është diskutuar për identifikimin e rrugës së grumbullimit të eksponateve për të pasuruar muzeun e Ferizajt ,të hapur pak kohë më pare në kuadër të Shtëpisë së Kulturës në këtë qytet. Mënyra se si të vetëdijesohen qytetarët për rëndësinë e muzeut,duke dorëzuar çdo pjesë që kanë nga trashëgimia kulturore për këtë muze ishte temë kyçe e këtij takimi. Pofesor Jusuf Musa ,zyrtar i Divizionit për Trashëgimi kulturore në Ministrinë e Kulturës tha se këto debate kanë një peshë të madhe krahas sensibilizimit të shoqërisë për ruajtjen e trashëgimisë si dhe dhe restaurimin e saj,në këtë rast për të pasuruar muzen e qytetit të Ferizajt,këtij institucioni shtetëror.
Dhe në mes tjerash,Ferizaj u vlerësua si një vend me mjaft pasuri arkeologjike. Musa me këtë rast tha se vetëm në hulumtimet e fundit janë identifikuar shumë mbetje arkeologjike në këtë komunë si dhe u shpreh optimist se qytetarët do të kontribuojnë edhe në segmentin e pasurimit të muzeut të qytetit.
Ndërkaq,Ilir Bytyçi ,përgjegjës i Sektorit të Muzeut në qytetin e Ferizajt,potencoi se rëndësia e pasurimit të muzeut është mjaft e madhe,dhe ata në forma të ndryshme do të punojnë që ky institucion të ketë vërtetë rolin e duhur në shoqëri.
Po ashtu ,përfaqësues nga Divizioni për Trashëgimi kulturore në Ministrinë e Kulturës kanë diskutuar edhe për format e ardhjes së eksponateve deri në muze,duke cilësuar tri forma:atë të blerjes ,formën falas si dhe dhurimin e ndonjë eksponati me kusht që ai koleksion të mbajë emrin e atij që ia dhuron muzeut. Është biseduar edhe për çështjen e ndjekjes me ligj për ata të cilët nuk ia dorëzojnë muzeut eksponatet,duke vlerësuar se trashëgimia kulturore është një kategori shtetërore. Ndërsa zyrtarë nga Ministria përkatëse kanë shprehë përkushtimin se do të mbështesin procesin e pasurimit të muzeut të Ferizajt.
Në Ferizaj, u mbajt debat me temën “Muzeu i ri në Ferizaj dhe mundësia e pasurimit me eksponate të reja”