Përfaqësues të institucioneve të pushtetit lokal e atij qendror, të shoqërisë civile, eprorë të policisë e zjarrfikës dhe zyrtarë të OSBE-së, kanë debatuar mbi këtë problematikë duke u marrë me shkaqet dhe pasojat si dhe duke dhënë shfaqur pikëpamjet e tyre se si duhet punuar në rrafshin e uljes në minimum të rasteve të shpërthimit dhe përhapjes së zjarreve fushore e malore.
Statistikat e prezantuara në këtë debat, kanë qenë tregues më i mirë se rastet e zjarreve vazhdojnë të jenë të shumta, po aq të shumta janë edhe dëmet që po shkaktohen për shoqërinë në përgjithësi.
Kryetari i Ferizajt, Muharrem Svarqa ka vënë në dukje se një mesatare e nxjerr nga vitet e kaluara prej 370 zjarresh është tregues më i mirë i rrezikut që paraqesin zjarret për pasurinë dhe qytetarët. Sipas kreut komunal, vetëdijesimi mbetet njëri prej faktorëve qenësor që do të ndikojë në uljen e shkallës së zjarreve.
"Ne jemi angazhuar në drejtim të shpërndarjes së porosive, duke shpjeguar rreziqet, ndërsa qytetarët duhet të jenë të kujdesshëm të mos ndezin hamulloret dhe mos të hedhin duqa të cigareve në vende ku ato mund të shkaktojnë zjarr", ka thënë Svarqa, duke vënë theksin në spotet televizive me porosi të qarta për qytetarët, për rritje të kujdesit të tyre. Nga ana tjetër, Svarqa ka folur për sfidat e natyrës teknike, duke zënë ngoje mungesat e aparaturës dhe pajisjeve të nevojshme për zjarrfikje nga ana e Brigadës së Zjarrfikësve, mosfunksionalizimin e brigadës së dytë dhe statusin jo të qartë të këtij institucioni emergjent, pasi janë bartuar kompetencat në MPB.
Drejtori i Qendrës regjionale të OSBE-së në Gjilan, Ulrich Biffar ka folur për përvojat e tij dhe hulumtimet që ka bërë në rajonin e Gjilanit, duke u ndalë në një sërë aspektesh që kanë ndikuar në shpërthimin e zjarreve. Ai ka thënë se bashkëpunimi mes institucioneve dhe qytetarëve është më se i domosdoshëm, ndërsa ka thënë se aganzhimi i vullnetarëve është shumë i rëndësishëm, për shkak se vie deri tek rritja e kapaciteteve dhe mundësitë e shuarjes së zjarreve janë më të mëdha pavarësisht sfidave me të cilat mund të përballen ata.
Vehbi Ejupi nga Departamenti i Inspektoratit të Mjedisit në kuadër të MMPH-së ka thënë se nuk arsyetohet djegia e hamulloreve, pasi ka vetëm dëme dhe asjë të mirë tjetër. Sipas tij, piromanët me veprimet e tyre nuk bëjne gjë tjetër, përveçse krim mjedisor, të sanksionuar me ligjet e Kosovës. Ejupi ka sugjeruar që debatet të tilla të fillojnë më 1 maj, nga koha kur fillojnë zjarrvëniet e qëllimshme me djegie të gomave, kinse për të festuar këtë ditë dhe nuk ndalen përgjatë tërë sezonit.
Komandanti i Brigadës së Zjarrfikësve, Halil Osmani ka folur për problemet me të cilat përballen zjarrfikësit. Ai ka vënë në dukje se brenda 6 muajve është intervenuar në 191 raste, ndërsa vetëm muajin e fundit ka pasur 50 intervenime. Osmani ka thënë se rritja e numrit të zjarrfikësve, sipas numrit të banorëve dhe investimet në aparaturë dhe autocisterna, do të ishte zgjidhja më e mirë.
"Nëse ka në të njëjtën kohë dy zjarre, atëherë intervenimi është i pamundshëm", ka thënë Osmani, krejt kjo sipas tij, për mungesë të zjarrfikësve.
Edhe drejtori rajonal i Policisë së Kosovës, nënkolonel Gazmend Hoxha është përqendruar në bashkëpunimin e ndërsjellë institucional dhe me qytetarë, ndërsa ka thënë se këtë vit policia ka intervenuar në 6 raste dhe ka hapur hetimet, 5 më pak se vitin e kaluar.
Në fund të këtij debati, në të cilën me diskutime kontribuon edhe agronomë e përfaqësues të OJQ-ve, janë dhënë disa rekomandime: të behet vetëdijesimi në kontinuitet i qytetarëve lidhur me parandalimin e zjarreve, të aktivizohet objekti i ri brigadës në zonën perëndimore të qytetit, të ketë bashkërendim të institucioneve, qytetarëve e shoqërisë civile, të sigurohen pajisje të nevojshme për parandalimin e zjarreve për Brigadën e Zjarrfikësve, të sigurohet kuadër i ri i zjarrfikësve dhe të rritet bashkëpunimi me vullnetarët zjarrfikës.
"Sezoni i zjarreve, mundësitë e parandalimit dhe bashkëpunimi i faktorëve veprues", ka qenë e temë e debatit, mbajtur të enjten në Ferizaj.