Asamblistët komunalë të Ferizajt kanë miratuar ndryshimet dhe plotësimet e Rregullores për përcaktimin e kushteve dhe kritereve për dhënien me qira të banesave në pronësi të komunës,pikë kjo e cila është diskutuar në Kuvend për të tretën herë.
Fillimisht , Xhavit Zariqi,kryesues i KK-së në Ferizaj ,tha se ndryshimet janë bërë në harmonizim me kërkesat e bëra kohë më parë nga Ministria e Pushtetit lokal.
Ndërkohë, grupi parlamentar i PDK-së,doli me një propozim që çmimi i qirasë të ulet për 50%,duke konsideruar se kjo formë mund të jetë një lehtësim për rastet sociale ,që do të përfitojnë banesa,të cilat janë pronë komunale.
Megjithëkëtë, subjektet e tjera të Kuvendit,nuk kanë pasur qëndrime të njëjta për propozimin e PDK-së .
E,pyetjeve të deputetëve komunalë,u është përgjigjur kryesuesi i Kuvendit. Ai ka thënë se Rregullorja në fjalë ,në parim duhet të aprovohet me këto plotësime,ngase sipas tij këto kushte përcaktohen me ligj.
Gjatë kësaj mbledhjeje të Kuvendit,është miratuar edhe propozim-vendimi për formimin e Komisionit për shqyrtimin e kërkesave për dhënie me qira të banesave të komunës. Në të njëjtën kohë,u mor vendim që 20 anëtarë të jenë në përbërje të Këshillit për siguri në bashkësi e jo 21.
Njëherësh, nga subjekte të cilave u mungojnë anëtarë të Komiteteve,u bënë edhe propozime për plotësim të tyre. Gjithashtu, në punimet e kësaj séance, u formua edhe Komisioni për ndarjen e bursave për studentë,derisa u miratua edhe propozim –vendimi për ndryshimet dhe plotësimet e Statutit të komunës si dhe dy propozim –vendime për shndërrimin e ngastrave bujqësore në ato ndërtimore.
Këtë të premte është mbajtur mbledhja e Kuvendit të Komunës së Ferizajt, në të cilën janë diskutuar çështje të shumta.