Kryesuesi i Kuvendit Komunal, Xhavit Zariqi ka thënë se këto rregullore janë me interes për arsye se do të përcaktojnë kahet e bashkëpunimit të komunës me fshatrat si dhe kriteret për ndarjen e banesave solidare. Zariqi ka thënë se këto dy rregullore kanë kaluar në dëgjimin e parë në KK, ndërsa para miratimit të tyre final, qytetarët duhet të shprehin pikëpamjet e tyre dhe të njëjtat do të inkorporohen në tekstin përfundimtar, duke vlerësuar lart pjesëmarrjen e qytetarëve në këto diskutime publike.
Rregullorja e parë, për të cilën një ndihmesë në rrafshin e organizimit të takimeve ka dhënë edhe rrjeti i OJQ-ve "AVONET" nga Ferizaj, në kuadër të një projekti të tyre, sipas drejtorit të Administratës së Përgjithshme, Vesel Zhinipotoku, definon qartë relacionet komunë-qytetar, format dhe mekanizmat e bashkëpunimit, duke krijuar udhëheqjet në fshatra dhe zona urbane në kuptim të përfaqësimit dhe realizimit të interesave të komunitetit.
"Qytetarët në zonat ku jetojnë do të shtrojnë kërkesat e tyre përmes vijës institucionale. Do të zgjedhin njerëzit që do të komunikojnë me kryetarin, Kuvendin Komunal" ka thënë drejtori Zhinipotoku.
Qytetari Sadri Aliu këtë komunikim të pushtetit me fshatrat e ka quajtur të jetë demokratike, ndërsa ka kërkuar që disa nene të plotësohen, veçmas ato që kanë të bëjnë me zgjedhjen e kryetarit të fshatrave dhe zonave urbane. Edhe qytetarët tjerë kanë shfaqur opinionet e tyre për këtë rregullore, ndërsa kanë kërkuar që kryetari i zgjedhur për punën që bën të kompensohet materialisht me ndonjë shumë simbolike.
Rregullorja tjetër për caktimin e prioriteteve për ndarjen e banesave solidare ka zgjuar më shumë interesimin e qytetarëve, të cilët kanë kërkuar që me rastin e ndarjes së banesave solidare të formohet një komision, i cili do të punojë drejt dhe me korrektësi dhe do të përzgjedh rastet më të rënda nga qytetarët, që nuk e kanë zgjidhur problemin e banimit dhe strehimit.
Udhëheqës komunal të Ferizajt kanë thënë se komuna të do të ndajë disa banesa solidare në objektet që ka dhënë me koncesion, ndërsa për ndarjen e tyre do të ketë kritere strikte, sipas të cilave përfituesit do të jenë ata që kanë më së shumti nevoja.
"Është numër i madh i atyre që nuk e kanë të zgjidhur këtë problem, si nga familjet e dëshmoreve, invalidët e luftës, veteranët, ish-të burgosurit politikë dhe skamnorët. Do të punohet sipas kritereve dhe nuk do të ketë shmangie nga kriteret" ka thënë drejtori Zhinipotoku. Ndërsa kryesuesi i KK-së, Xhavit Zariqi u ka shpjeguar qytetarëve se komisioni do të punojë në terren më shumë dhe jo mbi bazën e letrave që ofrojnë familjarët, duke analizuar çdo detaj. Ata që kanë pasuri dhe mundësi për ndërtimin e shtëpive, nuk do të mund të përfitojnë banesë solidare. Do të punohet sipas kritereve" ka thënë Zariqi.
Zyrtarët kanë thanë se për secilën kategori do të jepet numri i banesave që do të ndahen për ta dhe përfitues do të jenë ata që vërtet nuk kanë mundur të bëjnë zgjidhje të problemit të banimit duke mos pasuri mundësi për këtë.
Qytetarët kanë adresuar vërejtje për mënyrën e ndarjeve të banesave solidare në të kaluarën, duke kërkuar që praktika të tilla të mos përsëriten më.
Komuna e Ferizajt ka organizuar të martën një takim me qytetarë, në të cilin janë diskutuar dy draft-rregullore: e para për bashkëpunimin e komunës me fshatra dhe zonat urbane dhe e dyta, rregullorja për përcaktimin e prioriteteve për ndarjen e banesave solidare.