Drejtori Faik Grainca, tha se kujdes i veçantë gjatë kësaj periudhe u është kushtuar kërkesave dhe ankesave të qytetarëve. Kështu, nga gjithsej 320 lëndë, 293 prej tyre janë zgjidhur, ose qytetarëve u është dhënë përgjigje.
Vëmendje i është kushtuar gjithashtu lirimit të hapësirave publike, ku është ndërhyrë në mbi 100 raste, përfshirë edhe eliminimin e reklamave të vendosura në prona komunale, të cilat nuk kanë pasur leje. Drejtori Grainca tha se po përgatitet një projekt për vendosjen e tyre, pasi të interesuarit të pajisen me leje përkatëse.
Drejtori i urbanizmit e theksoi si problem të madh zbatimin e planeve rregullative, të miratuara deri tash. Ai tha se hartuesi ka paraparë shumë rrugë të reja, por nuk ka planifikuar buxhet për realizimin e planeve. Grainca tha se për zbatimin e planeve rregullative, duhen disa qindra miliona euro, meqë duhet bërë shpronësimi i shumë ngastrave.
Lidhur me ecurinë e miratimit të planeve rregullative për zonat e qytetit, Grainca theksoi se deri në fund të këtij viti, pritet miratimi i planeve edhe për katër zona, ndërsa deri kah mesi i vitit të ardhshëm, Ferizaj do ta ketë të plotë planin urbanistik.
Drejtoria e urbanizmit tha se ka evidenca për 290 ndërtime pa leje në Ferizaj, por beson se numri i objekteve të tilla është edhe më i madh. Drejtori Grainca bëri të ditur se po pritet një Udhëzim administrativ, i cili do të saktësojë procedimin e pushtetit lokal ndaj këtyre ndërtimeve.
Drejtoria komunale e Urbanizmit e Ferizajt, paraqiti sot para mediave punën e saj tremujore.