Lajmin e ka bërë të ditur drejtori për Ekonomi, Financa dhe Buxhet, Mustafë Grainca. Ai ka thënë se kjo kompani ka marrë certifikatën e biznesit dhe kjo është një prej hapave të parë për këtë investim, një garancë për fillimin e implementimin e tij.
"Hapi tjetër do të jetë licencimi në Ministrinë e Tregtisë dhe pas licencimit, kjo kompani do të fillojë së realizuari punën me staf për krijimin e depozitave. në ato depozita pritet të vendose gasi e më pas instalimi i rrjetit të gasit në zonën urbane" ka thënë Grainca.
Ndryshe, Grainca ka theksuar se plani është duke u realizuar sipas dinamikës së parashikuar nga ana e italianëve.
"Shpresohet që në mars të fillohet puna e realizimit të projektit, por së pari ndërtimi apo ngritja e depozitave dhe vendosja e tyre në ngastrën që është ndarë nga komuna" ka thënë Grainca.
Drejtori i Drejtorisë së Ekonomisë, Financave dhe Buxhetit në Ferizaj, Mustafë Grainca ka thënë gjithashtu se italianët kanë kërkuar tashmë edhe të dhëna për banorët, numrin e rrugëve, pastaj të dhëna që kanë të bëjnë me investimet kapitale në ato rrugë ku do të realizohen projektet e komunës, për të shtrirë bashkërisht sistemin e gasit natyror.
"Kanë kërkuar një bashkëpunim veçmas me PTK-në dhe KEK-un, në mënyrë që gypat që do të shtrihen në rrugë të qytetit, të jenë në gjendje për të absorbuar sistemin elektrik distributiv në këta gypa" ka thënë Grainca.
Sistemi i gasit LTG synon të sjell të mira për amvisëritë e Ferizajt. Mendohet se ferizajasit do ta kenë të zgjidhur problemin e ngrohjes, çka do të pakësonte ndjeshëm furnizimin me lëndë drusore, por do të ketë edhe të mira tjera, ndër to do të jetë edhe kursimi i energjisë elektrike.
Lidhur me atë se si është pritur në mesin e banorëve ndërtimi i depozitës së fshatin Prelez të Jerlive. Drejtori Grainca ka thënë se do të ketë një takim me banorët për t’u shpjeguar se në hapësirën e ndarë për depozitë prej 3 hektarësh, nuk do të ketë rrezikshmëri.
"Një depozitë e këtij produkti është e njëjtë sikur ato që ekzistojnë ato për derivate të naftës në shumë vende. Ka pasur keqkuptime apo keqinterpretime nga dikush, por ne u themi se ata do të jenë përfituesit e parë nga ky projekt me gas apo edhe do të jenë pjesë me prioritet për të punësuar të rinjtë nga ky lokalitet" ka thënë Grainca, ndërsa ka shtuar se siguria do të jetë maksimale nga shkaku se do të bëhet edhe një elaborat i sigurisë që do të merret edhe si licencë apo certifikatë e sigurisë nga organet kompetente.
Kompania italiane e gasit "Effegi" javën që shkoi ka hapur njësinë e saj në Kosovës "Kosova gas" duke hedhur një hap para drejt realizimit të një projekti kapital në Ferizaj, instalimin e sistemit të gasit. Me këtë rast, kjo kompania zyrtarisht është certifikuar nga qeveria e vendit.