Mesditën e sotme, në ambientet e Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në një ceremoni mes miqsh e familjarësh të të Lumit, Dom Shtjefën Kurti, Komuna e Ferizajt, dorëzoi librin-album të financuar nga Komuna “I Lumi Dom Shtjefën Kurti – Jeta dhe pavdekësia” me autorë ing. Nikolin Kurti dhe Dr. Nikollë Loka, të cilën vepër e pranuan familjarët e Dom Shtjefën Kurtit, Nikolin dhe Gjon Kurti.
Në këtë takim, në emër të Kryetarit të Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, të pranishmit i përshëndeti, Shefi i Kabinetit të Kryetarit të Komunës së Ferizajt, Albion Sherifi, ku gjithashtu pjesë e takimit ishin udhëheqësi i Muzeut të Qytetit, Ilir Bytyçi e Zyrtari i DKRS-së, Agon Zhinipotoku.
Shefi i Kabinetit, Albion Sherifi, tha se Ferizaj e mban për nder të qytetit, emrin, personaliteti e veprën e Dom Shtjefën Kurtit, gjersa theksoi se kjo vepër e botuar nga Komuna, është një përpjekje më shumë në ndriçimin dhe shkëlqimin e figurës madhore të Dom Shtjefën Kurtit.
Edhe njëri nga autorët e veprës, Nikolin Kurti, u shpreh falënderues ndaj Komunës së Ferizajt, që pa hezitim, pranoi të botoj veprën kushtuar Dom Shtjefën Kurtit, gjersa para të pranishmëve paraqiti një historik të shkurtër të jetës, veprës dhe martirizimit të Dom Shtjefën Kurtit.
Në takim, të pranishmëve iu drejtua me një fjalë rasti edhe Famullitari i Kishës Katolike në Ferizaj, Dom Mikel Sopi, i cili vlerësoi lartë veprën e Dom Shtjefën Kurtit.
Me veprën e nënshkruar nga autori, bisedën nga të pranishmit tjerë dhe me evokimet e kujtimeve nga Dom Shtjefën Kurti u mbyll ky takim, kushtuar personalitetit ferizajas të përmasave përtej kombëtare, Dom Shtjefën Kurtit të pushkatuar nga regjimi komunist në Shqipëri.