Me këtë rast kryetari i Ferizajt, Muharrem Svarqa, këtë takim e ka vlerësuar tejet lartë, sepse sipas tij, përmes këtyre takimeve shihen edhe nevojat që kanë komunitete e këtyre fshatrave.
“Edhe përkundër asaj që ne e kemi buxhetin e aprovuar, ne që tani po fillojmë që t’i shohim prioritete që nuk janë futur në buxhetin e komunës së Ferizajt për vitin 2016, që eventualisht të shikojmë se cilat janë mundësitë qw t’i inkorporojmë në kuadër të rishikimeve tona buxhetore”, është shprehur kryetari Svraqa, duke njoftuar kryetarët e fshatrave se në kuadër të zvogëlimit të investimeve kapitale, është bërë rritje tek shërbimet dhe mallrat, në mënyrë që të bëhet pagesa e shpenzimeve të varrimit për qytetarët ferizajas.
“Në kuadër të rritjes se mallrave dhe shërbimeve ne kemi marr obligim, që të bëjmë edhe pagesën e shpenzimeve për varrim, sepse jemi një ndër komunat e rralla që nuk i paguajmë shpenzimet e vorrim për fat të keq, por kjo ka ndodhur për shkak se nuk ka pasur mundësi të bëjmë heqjen e mjeteve të kufizuara në kategorinë mallra dhe shërbime, dhe kjo është edhe arsyeja që ne kemi ba edhe zvogëlimin e investimeve kapitale në raport me vitin paraprak dhe i kemi rrit mallrat dhe shërbimet për të pasur një funksionalizim të komunës”, ka thënë kryetari Svarqa.
Numri një i qytetit të Ferizajt, përfaqësuesit e fshatrave i ka njoftuar edhe me projektet që do të realizohen nga Ministria e Infrastrukturës, e që janë 7 projekte të një rëndësie shumë të madhe.
Nga ana tjetër kryesuesi i kuvendit të komunës Faruk Guri, në këtë takim është ndalur tek rregullorja për bashkëpunim në mes komunës, fshatrave, vendbanimeve dhe lagjeve urbane.
“Në udhëzimin administrativ nuk ka qenë e cekur që mandati i kryetarëve të fshatrave dhe lagjeve urbane, është i lidhur me mandatin e kuvendit, kjo nuk ka qenë por, është bërë prej kuvendit dhe ka mbet kështu. Nuk është mirë, që asnjë mandat të lidhet me anëtarët e kuvendit sepse mandati i përfaqësuesve të fshatrave duhet të jetë një mandat i veçantë i cili duhet të zgjat për katër vite, sepse është i një rëndësie shumë të veçantë dhe është një lidhje mes komunës dhe fshatrave”, ka thënë kryesuesi Guri.
Nga ana tjetër përfaqësuesit e fshatrave kanë pasur një varg kërkesash që kanë paraqitur para krerëve të ekzekutivit të komunës së Ferizajt.
Ata kanë kërkuar që të bëhen zgjedhje të reja dhe secili fshat dhe qytet të ketë përfaqësuesin e tyre legjitim, kërkuan edhe realizimin e shumë projekteve infrastrukturore që nuk i kanë në fshatrat e tyre e që janë të domosdoshme për ta.
U tha se takime të këtij lloji do të jenë të vazhdueshme në mënyrë që komuna e Ferizajt te jetë në dijeni për secilin problem që i preokupon banorët e këtyre lokaliteteve.
Të premten, ekzekutivi i komunës së Ferizajt, mbajti një takim me udhëheqësit e fshatrave të kësaj komune për të parë nga afër problemet dhe sfidat më të cilat përballen banorët e këtyre lokaliteteve.