Binjakëzimi është bërë me qëllim që të krijohen sa më shumë kontakte të nxënësve mërgimtarë nga Kosova me vendlindjen dhe me moshatarët e tyre në vend dhe me shkollat e Kosovës, me qëllim që të thellojnë njohuritë për gjuhën amtare dhe vendlindjen e tyre në funksion të ruajtjes së identitetit. Drejtoresha e shkollës”Tefik Canga”në Ferizaj, Ganimete Konjufca, nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje e ka vlerësuar si tejet të rëndësishme për nxënësit dhe punonjësit e kësaj shkolle. “U dakorduam që të kemi një bashkëpunim të vazhdueshëm,i cili do të jetë në favor të dy shkollave”,tha Konjufca.
Ndërsa drejtori i shkollës së së qytetit Alvesta të Suedisë, Bernt Friberg theksoi se binjakëzimi është bërë për të shkëmbyer eksperienca dhe kultura të ndryshme. “Shkolla jonë ka shumë nxënës me prejardhje shqiptare. Ky bashkëpunim është mjaft i rëndësishëm. Aktualisht,nuk kemi ndonjë plan konkret ,i cili do t’i shërbente në të mirë kësaj shkolle në Ferizaj,por do t’i rangojmë shpejt prioritetet e bashkëpunimit”, është shprehur Friberg.
Në ceremoninë e nënshkrimit të kësaj marrëveshje mori pjesë edhe Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu si dhe zv. ministri i Ministrisë së Arsimit Nehat Mustafa. Kryetari Agim Aliu, ka theksuar se kjo është një nismë shumë e rëndësishme për qytetin e Ferizajt. ”Kjo është një dëshmi se komuna e Ferizajt është e përkushtuar të ketë marrëveshje me shtetet perëndimore që të konkretizohet bashkëpunimi në fusha të caktuara. Sot ,arsimi,nesër edhe fusha të tjera,që do të sjellin të mira për qytetin tonë”, ka thënë numri një i qytetit të Ferizajt, Agim Aliu.
Në shkollën e mesme e ulët ”Tefik Canga”në Ferizaj aktualisht mësimet ndjekin rreth 1400 nxënës, ndërsa shkolla “Gronkulaskolan” të qytetit Alvesta të Suedisë janë afër 600 nxënës.
U bë e ditur se krahas binjakëzimit do të krijohen edhe ligjet e bashkëpunimi ndërmjet BE-së dhe vendeve të tjera dhe kështu të ndihmohet integrimi i rinisë sonë në shoqërinë evropiane, si dhe të këmbehen përvojat ndërmjet shkollave tona me shkollat e vendeve të Evropës. Në këtë aktivitet u tha se nxënësit e shkollave të binjakëzuara nga Kosova dhe nga të gjitha vendet e tjera me shkollat suedeze kanë të drejtë që pas shkollimit të mesëm të studiojnë në universitet suedeze me financimin e BE.
Këtë të hënë shkolla e mesme e ulët “Tefik Çanga” si dhe shkolla “Gronkulaskolan” të qytetit Alvesta të Suedisë, kanë nënshkruar marrëveshjen e binjakëzimit mes këtyre dy institucioneve arsimore.