Pas asfaltimit të rrugës Zaskok-Pleshinë këtë të enjte banorët e tri lagjeve në fshatin Pleshinë janë bërë me rrugë të asfaltuar, kjo falë Komunës së Ferizajt. Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, me këtë rast ka theksuar se asfaltimi i këtyre lagjeve është mjaft i rëndësishëm për banorët e fshatit Pleshinë, por edhe qytetarët e tjerë që vizitojnë këtë vend turistik.
“Jemi jashtëzakonisht të lumtur për faktin se Pleshina, është një fshat jashtëzakonisht i rëndësishëm, vend turistik dhe kjo është mundësi më shumë se përveç përmirësimit të jetës së tyre kjo ndikon edhe tek vizitorët që vinë në këtë vend turistik. Me këtë rast unë dua të urojë të gjithë qytetarët e fshatit Pleshinë”, ka thënë Aliu, duke inkurajuar edhe banorët lagjeve të tjera të fshatit Pleshinë të cilat kanë mbetur të pa asfaltuara në mënyrë që të përmbyllet kaptina e të gjitha investimeve në fshatin Pleshinë.
Nga ana tjetër deputeti i Kuvendit të Komunës nga fshati Pleshinë Hesat Shatrolli, ka theksuar se ky projekt është shumë i rëndësishëm për të gjithë banorët e kësaj ane.
“Ky projekt është i mirëseardhur për fshatin Pleshinë, natyrisht për disa lagje që jemi. Këtë projekt e kemi realizuar edhe me participim të qytetarëve dhe jemi shumë të kënaqur”, është shprehur Shatrolli.
U bë e ditur se asfaltimi në fshatin Pleshinë është afërsisht një kilometër e gjysmë dhe gjerësia e rrugës është katër metra dhe ka kushtuar rreth 100 mijë euro.
Banorët e lagjeve të ndryshme të fshatit Pleshinë, i janë gëzuar pa masë asfaltimit të rrugëve të tyre. Për të parë nga afër asfaltimin e këtyre rrugëve, ishte edhe Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu me bashkëpunëtorët e tij.