Në takimin konsultativ të mbajtur të enjten në shkollën fillorë “Konstandin Kristoforidhi”, në Nerodime më banorët e fshatrave: Jezerc, Nerodime e Poshtme, Nerodime e Epërme, Manastirc dhe Balaj, banorët e këtyre fshatrave kanë kërkuar më shumë infrastrukturë në fshatrat e tyre.
Hyzri Reka dhe Nazmi Hajdari, kanë kërkuar nga i pari i komunës së Ferizajt, Agim Aliu, që gjatë hartimit të projekt-buxhetit për vitin 2013-2015 të përfshihen edhe këto fshatra, që gjatë viteve në vijim të kenë një infrastrukturë shumë më të kompletuar dhe të favorshme për banorët e këtyre zonave.
Ndërsa në takimin e dytë të mbajtur në shkollën fillore në fshatin Lloshkobare, ku takimi konsultativë është mbajtur me banorët e fshatrave: Dremjak, Lloshkobare, Slivovë dhe Koshare është kërkuar që në këto lagje të investohet në fusha të ndryshme gjatë viteve në vijim.
Nga ana tjetër kryetari i komunës Agim Aliu dhe drejtori i Drejtorisë së Planifikimit, Zhvillimit dhe Rindërtimit në Ferizaj, Ardian Ferizi, kanë shënuar të gjitha kërkesat e këtyre banorëve në mënyrë që gjatë hartimit të futen edhe projektet që këta banorë kanë kërkuar. Vlera e investimeve kapitale për vitin 2013 për komunën e Ferizajt, kap shumën rreth 7 milion euro.
Kryetari i Ferizajt Agim Aliu dhe drejtori i Planifikimit Ardian Ferizi nga ora 16:30 në objektin e shkollës fillore në Prelez të Jerlive do të mbajnë takimet me banorët e fshatit: Muhoc, Talinovc i Jerlive, Prelez i Jerlive, Tërrn, Bablak, Prelez i Muhaxherëve, Surqinë, Cërnillë dhe Mirash, ndërkaq nga ora 18.30 në objektin e shkollës fillore në Softaj do të mbahet takim me banorët e fshatit: Talinovc i Muhaxherëve, Sazli, Softaj, Mirosalë, Rahovicë, Papaz, Pojatë, dhe Fushë e Madhe.
Qytetarë të shumtë morën pjesë në takimin konsultativ rreth hartimit të projekt-buxhetit për vitin 2013-2015