Këtë të martë është bërë asfaltimi i rrugëve dhe rrugicave në fshatin Prelez i Jerlive. Nga afër punimet në rregullimin dhe asfaltimin e kësaj rrugë i ka përcjellur drejtori i infrastrukturës, Arbër Bytyqi, i shoqëruar edhe nga mbikëqyrësit e këtij projekti.
Me këtë rast drejtori Bytyqi, ka thënë se kjo rrugë ka rendësi jetike për banorët e këtij lokaliteti si dhe do të shërbejë edhe si urë lidhëse ne mes dy fshatrave Prelez i Jerlive dhe Prelez i Muhaxherëve.
“Jemi në fshatin Prelez i Jerlive ku po bëhet asfaltimi i rrugës kryesore si dhe rrugicave të këtij fshati, një projekt shumë i rëndësishëm për banorët e kësaj zone , pasiqë do të shërbejë për një komunikim më të mirë në mes Prelezit të Jerlive dhe Prelezit të Muhaxherëve, poashtu kjo rrugë do t’ju shërbeje nxënësve dhe banoreve të kësaj zone. Është një projekt i stërzgjatur, sepse ka filluar qysh në vitin 2016, por jemi shumë të lumtur që po e përfundojmë këtë asfaltim”, është shprehur drejtori Arbër Bytyqi.
Kjo rrugë ka një gjatësi mbi 3 kilometra, ndërkaq ka kushtuar rreth 200 mijë euro. U bë e ditur se ditëve në vazhdim do të ketë edhe asfaltime të tjera të rrugëve si në fshat poashtu edhe në qytet.