Investimet e qeverisjes lokale në infrastrukturën rrugore po prekin çdo pëllëmbë të territorit të Ferizajt. Një i tillë, i përmasave strategjike po finalizohet në segmente të caktuara që lidh një grup fshatrash të Grykës së Nerodimes. Projekti për ndërtimin e Unazës së Jashtme të Qytetit që përfshin lidhjen e fshatrave Prelez i Jerlive- Kosinë- Llojza-Dremjak-Nerodime-Manastirc-Zaskok-Greme dhe Topojan po merr formë përfundimtare dita-ditës. Sot, u zhvilluan punime për asfaltimin e segmentit rrugor Dremjak-Nerodime, segment ky i rëndësishëm për qarkullimin ndër rural dhe shkurtimin e distancës e kohës për qasje në këto fshatra. Për këtë projekt në terren doli edhe i pari i Ferizajt, Agim Aliu, bashkë me drejtorin e Infrastrukturës, Arbër Bytyqi.
Ai tha se një projekt i tillë, jashtëzakonisht i nevojshëm për Ferizajn, përkatësisht lidhjen e këtyre fshatrave, shton vlerën ekonomike të kësaj zone si dhe hap perspektivën e agroturizmit në këtë anë, duke mundësuar kushtin elementar për realizimin e saj, infrastrukturën rrugore.
Në anën tjetër, drejtori i Infrastrukturës, Arbër Bytyqi duke dhënë detaje teknike të këtij projekti dhe punimeve që po kryhen tha se ky projekt ka një rëndësi të veçantë për faktin se lidh shumë fshatra të Ferizajt dhe se po punohet intensivisht në përfundimin e tij.
“Jemi në fshatin Dremjak. Bëhet fjalë për projektin e Unazës së Jashtme të Qytetit. Jemi këtu në segmentin në mes të fshatit Dremjak dhe Nerodime ku sot po bëhet asfaltimi i shtresës së parë të asfaltit në gjatësi rreth 1 kilometër. Tashmë, ne gjatë këtij viti kemi asfaltuar rreth 2.5 kilometër të kësaj rruge, na mbetet edhe shumë punë për të bërë, në draft buxhetin e vitit të ardhshëm për këtë projekti, Ministria e Infrastrukturës ka ndarë shumën rreth 700,000 euro, mirëpo ne nuk jemi të kënaqur dhe për këtë arsye i jemi drejtuar edhe Komisionit Parlamentar për Buxhet dhe Financa që të rritet vlera e buxhetit për vitin e ardhshëm për këtë projekt, pasi që është një projekt me rëndësi të veçantë për banorët e kësaj zone dhe lidh këto fshatra duke filluar nga fshati Prelez deri në fshatin Rakaj. Gjithashtu, në këtë projekt janë përfunduar punët nëntokësore, gjegjësisht zhavorri dhe është shumë me rëndësi që të bëhet asfaltimi i këtyre pjesëve, pasi qytetarët ballafaqohen çdo ditë me pluhur dhe baltë. Kosto e këtij projekti është afër 3 milionë euro, gjatësia e rrugëve në këtë projekt është mbi 31 kilometër” tha drejtori Bytyqi.