Nga afër punimet e asfaltimit të kësaj rruge i përcolli edhe kreu i Ferizajt, Muharrem Svarqa së bashku me drejtorin e Infrastrukturës, Gafurr Ilazin. Me këtë rast kryetari Svarqa është shprehur se kjo rrugë ka qenë e harruar nga secili pushtet edhe pse është një rrugë shumë e rëndësishme për banorët e këtij fshati.
“Është ndër investimet e para që po bëhen në këtë anë dhe jam jashtëzakonisht i kënaqur që po kemi mundësi që të investojmë për nevojat e qytetarëve. Këtu mund të shtohet edhe për investimin e trafos se re që ne si komunë kemi ndërmjetësuar me KEDS-in për çka edhe jam shumë falënderues, ndërkaq rruga për fat të keq nuk vazhdon me tutje, ndërkaq në të ardhmen të realizojmë një dalje që do të lidhet me magjistralen dhe me rrugën kryesore të KFOR-it”, ka thënë kryetari Svarqa.
I pari i Ferizajt, ka folur edhe për shumë projekte të tjera që janë duke u realizuar dhe që pritet të realizohen në një të ardhme të afërt.
Ndërkaq banorët e këtij fshati, janë shprehur tejet mirënjohës Komunës së Ferizajt për realizimin e këtij projekti jetik për ta.
“Kjo rrugë është shumë e mirë për neve. Me parë kemi pasur probleme të shumta, sepse ka qenë e pa asfaltuar edhe pse jemi shumë shtëpi në lagjen Çarkoshë”, ka thënë Bekim Demiri, banor i fshatit Komogllavë.
Kjo rrugë Komunës së Ferizajt, i ka kushtuar 80 mijë euro, me një gjatësi mbi një mijë metra dhe me një gjerësi prej 5 metrave.
Banorët e fshatit Komogllavë këtë të martë i janë gëzuar pa masë asfaltimit të rrugës së tyre.