Abdurrahman Uruçi shef i zyrës së prokurimit në Komunën e Ferizaj ka thënë se prej këtyre kontratave shumica kanë qenë investime kapitale, ndërsa të tjerat furnizime dhe shërbime. “Edhe pse, lidhja e kontratave ka filluar me një vonesë për shkak të miratimit të buxhetit, ne deri në fund të këtij gjashtë mujori kemi arritur të nënshkruajmë rreth 80 kontrata”, ka thënë Uruçi, duke bërë të ditur se nga to, 57 janë kontrata për investime kapitale, ndërsa të tjerat janë kontrata që kanë të bëjnë me furnizime dhe shërbime.
Uruçi ka thënë se gjatë kësaj periudhe, Komnuna e Ferizajt ka realizuar një punë të mirë, duke u renditur ndër komunat më të suksesshme në realizimin e projekteve. Sipas tij kanë qenë vetëm 2 ankesa të operatorëve ekonomikë në mesin e 80 kontratave të nënshkruara. “Jemi një ndër komunat që më së paku ka pasur ankesa nga operatorët ekonomik në nivel të Kosovës, ku për gjashtë mujorin e parë ishin vetëm dy ankesa nga të gjitha kontratat që janë bërë”, ka thënë Uruçi.
Ndërkaq, synim i zyrës së prokurimit në Ferizaj edhe më tej mbetet kryerja e punëve sipas planit të paraparë, ku konkretisht projektet infrastrukturore të finalizohen sa mbretëron edhe moti i qëndrueshëm. “Zyra jonë ka një synim, që në bashkëpunim me të gjithë personat që kanë detyrat dhe obligimet e veta të caktuara, që punët t’i kryejmë në një mot sa më të mirë. Është synim i yni që moti i keq të mos t’i nxen punët, por punët të arrijnë që së paku në muajin nëntor të përfundojmë me të gjitha punët dhe projektet të cilat i kemi të parapara”, ka thënë Uruçi, duke bërë të ditur se tani për tani janë duke shkuar ashtu qysh kanë paraparë në bazë të planit.
Ndërsa sa i përket asaj se edhe sa kontrata pritet të nënshkruhen deri në fundvit, autoritete të Zyrës së Prokurimit në Ferizaj kanë thënë se ajo do të varet nga kërkesat që bëjnë drejtoritë komunale si dhe në bazë të planit të hartuar nga Asambleja e Ferizajt, por u shprehën se ato nuk do të kalojnë numrin 15, pasiqë pjesa më e madhe edhe janë nënshkruar. “Varet nga kërkesat e drejtorive. Planin e ka aprovuar asambleja komunale dhe në bazë të saj edhe ne punojmë. Nuk ka edhe shumë kontrata tani për t’u dhënë, ndoshta janë edhe rreth 15 tendere per t’u dhënë, por jo më shumë”, ka thënë Uruçi.
Kontrata me vlerën më të madhe që është dhënë deri më tani për këtë vit, ishte ajo për rregullimin e rrugës “Epopeja e Jezercit” dhënë kompanisë “Eskavatori”, ku kap vlerën e rreth 350 mijë eurove.
Në 6 muajt e parë të vitit 2011 në Zyrën e prokurimit në Ferizaj, janë nënshkruar rreth 80 kontrata të projekteve të ndryshme.