Drejtori Ardian Ferizi ka thënë se LDK-ja nuk ka mundur të pres raportin vjetor të kryetarit që pritet të mbahet muajin tjetër, ku në detaje do të shpalosen projektet e kryera, ato që do të përfundohen këtë vit si dhe shpenzimet në investimet kapitale për vitin e kaluar.
"Vitin e kaluar, efikasiteti i komunës sonë në shpenzimet e mjeteve te alokuara ka qenë në masën prej 94 për qind dhe se projektet e planifikuara për vitin e kaluar kanë përfunduar me kohë" ka thënë Ferizi, i cili ka hedhur poshtë pretendimet e opozitarëve për vonesa gjatë kryerjes së punimeve, kualitet të dobët të punimeve, shtruarjet e rrugëve me zhavorr "elektoral" rritje të vlerave të projekteve dhe tjera.
"Përmendja e projektit të rrugës “Arsim Bega” si një projekt që bartet nga viti në vit, edhe pse është shpjeguar disa herë ne kuvend, po e përsëris prapë se është një projekt i cili është duke u zbatuar në faza, duke filluar nga kanalizim atmosferik, fekal, ndërtimi i urës dhe tani edhe asfaltimi për vitin 2013.
Kanalizimi i fshatit Rakaj, ka qenë projekt dy vjeçar i shpallur ne vitin 2011, dhe ka përfunduar ne vitin 2012. Kjo figuron edhe ne raportin e vitit 2011, dhe që është mirë që te lexohet edhe njëherë nga deputeti në fjalë" ka thënë Ferizi, duke sqaruar se nuk bëhet fjalë për rritje të vlerës së projektit, për për shuma të veçanta prej 50 mijë eurosh, të ndara për dy vitet.
Duke u ndërlidhur me kompaninë për mbikëqyrje të projekteve, drejtori Ferizi ka pohuar se ka ngritje të cilësisë së punimeve, falë profesionalizimit të kësaj kompanie. "Dëshmi janë projektet e punuara gjatë viti 2012 të cilat janë lehtë të krahasueshme me vitet tjera sa i përket ngritjes substanciale të kualitetit" ka thënë Ferizi.
Ndryshe, zyrtari më i lartë i këtij dikasteri ka thënë se projekti i rrugës në lagjen Spahiaj të Gremes do të përfundojë këtë vit, sikundër edhe projektet e rrugës së Pleshinës dhe "Epopeja e Jezercit" ashtu siç janë planifikuar dhe realizohen me bashkëfinancim të komunës dhe MAPL-së, përkatësisht Ministrisë së Infrastrukturës.
Drejtori i Drejtorisë për Planifikim, Rindërtim dhe Zhvillim, Ardian Ferizi i ka quajtur ta pabazuara ato që i ka ngrehur një ditë më parë, komisioni për Infrastrukturë i LDK-së.