Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Rinisë, e cila shënohet më 12 gusht, në Ferizaj u organizua një program i pasur me aktivitete të dedikuara për të rinjtë, me fokus në promovimin e pjesëmarrjes, kreativitetit, bashkëpunimit dhe aktivizimit rinor.
Në kuadër të programit u zhvillua diskutimi me temën “Kontekste të ndryshme, aspirata të përbashkëta”, ku të rinjtë patën mundësi të ndajnë ide, përvoja dhe perspektiva të ndryshme.
Pjesë e aktiviteteve ishin edhe lojërat kreative dhe rekreative “Minute to Win It”, ndërsa të rinjtë u përfshinë edhe në aktivitete sportive si Cornhole dhe futbolli amerikan, në bashkëpunim me pjesëtarë të KFOR-it.
Një moment i veçantë i programit ishte edhe promovimi i librit “Ringjallja e Heshtur”, vepër e të riut nga Ferizaj, Muhamed Murati, duke i dhënë hapësirë talentit dhe krijimtarisë së të rinjve.
Realizimi i këtyre aktiviteteve u mundësua në bashkëpunim dhe me mbështetjen e Ministrisë së Sportit dhe Rinisë – Departamentit të Rinisë dhe Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport të Komunës së Ferizajt – Sektorit të Rinisë.
Aktivitetet e organizuara shënuan një tjetër hap në krijimin e hapësirave të përshtatshme për të rinjtë, duke nxitur pjesëmarrjen aktive, bashkëpunimin dhe zhvillimin e potencialit të tyre në Ferizaj.