Aksioni, më i madhi i këtij lloji në Kosovën e pasluftës, ka për qëllim të pastrojë vendin nga mbeturinat. Këtij aksioni ndërkaq i janë bashkuar drejtorët e Drejtorive komunale të Ferizajt, shërbyes civil, përfaqësues të institucioneve shkollore, përfaqësues të institucioneve shëndetësore si dhe të gjithë kalimtarët e rastit. Fillimisht aksioni ka nisur nëpër qendrat e mjekësisë familjare në Ferizaj, për të pasuar edhe me mbjelljen lulesh e fidanesh pranë qendrave, donacione këto të CDI-së.”Edhe më herët kemi bërë fushata të tilla me rastin e 24 majit, ditës botërore të ambientit kurse sot kjo fushatë është organizuar kryesisht nga organizatat joqeveritare, me qëllim të vetëm që të mobilizohen të gjithë për pastrimin e ambientit në të cilin jetojmë”, ka thënë Haxhimusa, ndërsa ka shtuar se në kuadër të këtij projekti është hartuar plani aksionar për organizimin e të gjitha aktiviteteve të parapara si dhe janë hartuar projekt propozimet për secilin aktivitet të paraparë.
Ndërsa Kenan Gashi përfaqësues i iniciativës qytetare “Let’s do it Kosova “, ka thënë se kjo iniciativë është dashur të ndërmerret qysh më parë në mënyrë që të ketë një pastrim në qytetin tonë. “Do të pastrojmë çdo vend në qytetin tonë, sepse kjo është një ftesë publike që në këtë aksion të mobilizohen mbi 50 mijë vullnetar në gjithë Kosovën”., ka thënë Gashi.
Gjatë ditës së sotme janë pastruar të gjitha oborret e shkollave, janë pastruar deponitë e mbeturinave nëpër fshatra. Në këtë aksion ndihmë të madhe kanë dhënë edhe kompanitë e ndryshme pastruese të qytetit të Ferizajt. Fushata për pastrim ka filluar që nga viti 2008.
Sot gjatë gjithë ditës zhvillohet projekti i Iniciativës Qytetare, “Ta pastrojmë Kosovën”.