
Ngjarjet e janarit të vitit 1999 tronditën botën, ose, thënë më troç, tronditën ata që ende bëheshin kinse nuk e dinin çfarë po ndodhte në të vërtetë në Kosovë. Misioni i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që vepronte në Zonën tonë , përkatësisht i Brigadës 161 ishte shumë i vështirë e vendosur përnjëherësh në disa fronte. Gjithsesi kjo brigadë shquhej për organizim dhe shquhej për palodhshmërinë, trimërinë dhe guximin në përmasa të përtej njerëzores të komandantit Ahmet Kaçiku.
Kjo ishte edhe një ndër veçantitë e kësaj ushtrie; shquhej për komandantët që nuk e udhëhiqnin luftën nga prapavija, por në të shumtën e rasteve ishin vet në ballë të frontit, sepse dallimi komandant – ushtar pothuajse nuk ekzistonte kur dihej se të gjithë ishin ushtarë vullnetarë e shokë ideali. Sidomos kjo i shkon komandant Ahmet Kaçikut i cili nuk pushoi asnjëherë deri në frymën e fundit, në mëngjesin e 19 janarit, 14 vjet më parë.
Po këtë mëngjes, kjo brigadë humbi edhe një ushtar shembullor. Ra Vezir Jashari, përkatësisht Flamuri. Në të vërtetë ra Veziri fizikisht, por jo Flamuri, jo emri që e bartte me respekt në luftë, sepse me rënien e Vezirit e shokëve, Flamuri vetëm sa lartësohej thua se do ta mbulonte krejt qiellin kuq e zi.
Ne po i kujtojmë sot këta viganë pas 14 vjetësh. Çdo vit po evokojmë ndonjë kujtim për ta, po thurim sentenca e vargje lavdie dhe çdo vit sado që po largohemi në kohë, po afrohemi kah porositë dhe ëndrrat e tyre.
Ne po mundohemi që me kapacitetet tona vepruese të sendërtojmë idealin e Ahmetit, Vezirit e të gjithë të rënëve. Edhe koha jonë është mjaft sfiduese, është mjaft provokuese, është përplot me kthesa e hendeqe. Por, edhe po lutemi e përpiqemi të jemi në udhën e tyre, po punojmë ta kemi bekimin e tyre, secili në mënyrën e formën e vet, secili duke i dhënë nga një shtysë ndërtimit të ardhmërisë së vendit tonë. Kur caku është i njëjtë, nuk është më e rëndësishmja cilat shtigje i ndjekim. Unë jam optimist se ne përditë po afrohemi drejt cakut duke i ndrequr me shumë mund padrejtësitë shekullore ndaj nesh për ta vendosur vendin e kombin tonë në mesin e kombeve më moderne, më të lira dhe më të respektuara nga bota afër nesh.
Vullneti, modestia, energjia e jashtëzakonshme, gatishmëria e pashoq për tu sakrifikuar në çdo kohë për të mirën e kombit dhe në shërbim të atdheut e treguar nga Ahmeti dhe Veziri, janë mësim për të gjithë ne të gjallët, janë udhëtregues. Po të duam ta ndjekim këtë shkollë, nuk është e vështirë për tu mësuar. Mjafton të jemi të sinqertë, të hapur, ta duam me zemër vendin tonë dhe t’ia falim me zemër mundin e përkushtimin tonë pa qenë shumë të brengosur cili do të jetë çmimi i shpërblimit. Të tillë ishin Ahmeti e Veziri, e të gjithë të rënët e të mbijetuarit.
Le të përçojmë nga ky tubim përkujtimor për Ahmetin e Vezirin mesazhet më kuptimplota të falënderimit dhe nderimit që u bëhet atyre, dhe jo vetëm atyre. Le t’ia konfirmojmë edhe vetes, dhe njëri tjetrit se jemi në drejtimin e duhur dhe të mbarë dhe sa më shpesh që ndodhin këto raste, sikur ky përvjetor, përveç shpërthimeve tona emocionale nga malli e mungesa për ta, le të reflektojmë sinqertë dhe ndershëm çdo ditë të jetës sonë me pyetjen “A thua po bëjmë më të mirën dhe a thua do të vepronin edhe ata si ne po të ishin në vendin tonë”?.
Lavdi Dëshmorëve të Kombit! Kam nderin dhe privilegjin tu drejtohem me pak fjalë në kujtim të përvjetorit të 14 –të të rënies heroike të vëllezërve dhe bijve tanë, luftëtarë të paepur në radhët e UÇK-së, Ahmet Kaçiku dhe Vezir Jashari- Flamuri.