Kuvendi i Komunës së Ferizajt ka mbajtur sot mbledhjen e tretë të jashtëzakonshme, të kryesuar nga kryesuesi i Kuvendit, Xhavit Zariqi.
Në fillim të mbledhjes, drejtoresha e Financave, Sebahate Ajeti-Sadiku, ka paraqitur kërkesën për rregullimet e nevojshme buxhetore në kategorinë e pagave dhe mëditjeve, duke theksuar se kjo kërkesë është rezultat i nevojës urgjente për sigurimin e mjeteve të mjaftueshme për ekzekutimin e pagave të punonjësve të komunës.
Sipas saj, kërkesa mbështetet në njoftimin e Departamentit të Buxhetit në Ministrinë e Financave, të datës 4 nëntor, me temën “Rregullimet buxhetore në kategorinë e pagave të institucionit tuaj – mungesa e mjeteve buxhetore”.
Drejtoresha Ajeti-Sadiku ka bërë të ditur se Komunës së Ferizajt i është kërkuar të ndërmarrë hapat e nevojshëm për mbulimin e deficitit buxhetor në kategorinë e pagave, me qëllim të sigurimit të mjeteve të nevojshme dhe mundësimit të ekzekutimit të pagave, duke filluar nga muaji nëntor.
“Transferet në vlerë prej 40 mijë eurosh janë marrë nga kategoritë buxhetore të bujqësisë, planifikimit urban dhe inspektoratit, shërbimeve sociale, sportit dhe rekreacionit, si dhe nga Zyra e Kuvendit të Komunës”, ka deklaruar drejtoresha Sebahate Ajeti-Sadiku.
Me shumicë votash nga anëtarët e Kuvendit të Komunës së Ferizajt kjo pikë e rendit të ditës kaloi.