Gazmend Bytyçi u lind më 12 nëntor 1977, në fshatin Mirash, Komuna e Ferizajt. Shkollimin fillor e kreu në vendlindje, ndërsa atë të mesëm në qytetin e Ferizajt. Studimet universitare i nisi në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës.
Në kohën kur situata politike në Kosovë ishte jashtëzakonisht e rënduar, ai iu përgjigj thirrjes së atdheut dhe me fillimin e luftës së armatosur, iu bashkua radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku shërbeu deri në çlirimin e vendit.
Pas përfundimit të luftës, ai përmbylli studimet universitare, më pas edhe ato master, në drejtimin Shkenca Politike dhe Administratë Publike. Karriera e tij profesionale përfshin angazhime në institucione të rëndësishme si Trupat Mbrojtëse të Kosovës (TMK) gjatë periudhës 1999-2009 me gradën major; ishte kryetar i Shoqatës së Invalidëve të luftës së UÇK-së për katër vite me radhë (2010-2014), ndërsa për tri mandate ka qenë anëtar i Kuvendit të Komunës së Ferizajt. Më pas, shërbeu edhe si deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës (2019-2021).
Krahas angazhimeve institucionale dhe politike, Gazmend Bytyçi është i njohur edhe për veprimtarinë e tij në fushën e letërsisë. Që nga viti 1997, ka botuar artikuj, poezi dhe shkrime të ndryshme në gazeta, revista dhe media online. Është autor i dy romaneve: “Karabina e Gjyshit” (Toena, 2016) dhe “Mallkimi i Shekujve” (De Rada, 2018). Për disa vite, ka qenë kryetar i Klubit Letrar “De Rada” në Ferizaj (2018-2020), duke dhënë një kontribut të çmuar në jetën kulturore të qytetit.
Emërimi i z. Gazmend Bytyçit në krye të Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Ferizajt paraqet një mundësi të rëndësishme për thellimin dhe avancimin e jetës kulturore e sportive në qytet, si dhe për nxitjen e përfshirjes aktive të të rinjve në këto procese. Përkushtimi i tij ndaj zhvillimit komunitar është dëshmuar ndër vite, përmes angazhimit të vazhdueshëm në shërbim të qytetarëve dhe promovimit të vlerave të mirëfillta shoqërore.