Ajo është profesioniste në fushën e gjeodezisë, kartografisë dhe sistemeve gjeohapësinore, me përvojë akademike dhe profesionale brenda dhe jashtë vendit.
Studimet bachelor i ka përfunduar në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, në drejtimin Gjeodezi. Studimet master i ka përfunduar në fushën e Hartografisë dhe Gjeoinformacionit në universitete teknike prestigjioze evropiane, përfshirë Universitetin Teknik të Mynihut, Universitetin Teknik të Vjenës dhe Universitetin Teknik të Dresdenit. Aktualisht është në proces të studimeve doktorale (PhD) në Universitetin Teknik të Vjenës, në fushën e hartografisë.
Përvoja e saj profesionale përfshin angazhim në institucione publike dhe kompani ndërkombëtare, përfshirë punën në Agjencinë Kadastrale të Kosovës, Komunën e Ferizajt, si dhe kompani të specializuara në Gjermani në fushën e GIS-it, hartografisë, WebGIS dhe analizave hapësinore.
Njëkohësisht, Festina Sadiku është e angazhuar edhe në arsim të lartë si asistente universitare në Universitetin e Prishtinës, ku ligjëron dhe ushtron lëndë nga fusha e GIS-it, hartografisë dhe analizave hapësinore.
Ajo ka marrë pjesë në konferenca shkencore ndërkombëtare dhe është autore e publikimeve shkencore. Është gjithashtu përfituese e bursës Erasmus Mundus, si dhe fituese e disa mirënjohjeve akademike.
Në ushtrimin e detyrës së saj si Drejtoreshë për Pronë, Gjeodezi dhe Kadastër, Festina Sadiku Hyseni synon modernizimin e shërbimeve kadastrale, digjitalizimin e proceseve dhe rritjen e transparencës dhe efikasitetit në shërbim të qytetarëve dhe zhvillimit të qëndrueshëm komunal.