Adurrahman Oruçi, shef i Zyrës së Prokurimit në Ferizaj, ka thënë se sa i takon këtij viti, kjo zyrë ka bërë një punë mjaft e madhe. “Sa u takon shërbimeve është një numër i konsiderueshëm i kontratave të cilat kanë të bëjnë me realizimin e shërbimeve të parapara vjetore, kurse investimet kapitale me rishikim kapin një vlerë rreth 6 milion e 800 mijë euro”, ka thënë Oruçi.
Sipas, Oruqit, ka pasur edhe raste të ritenderimit, që shumica ishin të pa ritenderuara. Dy ritenderime ishin në bazë të kërkesës së OSHP-së, nga Prishtina, pas ankesave të cilat janë bërë ku menjëherë pas këtij ritenderimi është bërë përzgjedhja dhe lidhja e kontratave me operatorë të tjerë. “Kemi pasur edhe 5 apo 6 ritenderime ku si kusht në bazë të ligjit mbi prokurimin, që të bëhet përzgjedhja duhet të jenë më së paku 3 operatorë të përgjegjshëm. Ne kemi pasur 5 deri në 6 raste që, kur kemi bërë tenderimin nuk i kemi pasur nga 3 operatorë të përgjegjshëm dhe pastaj kemi bërë ritenderim”, ka thënë Oruçi.
Në krahasim me vitet e kaluara në Zyren e Prokurimit në Ferizaj, sipas Oruçit është një diferencë shumë e madhe sa i takon suksesit të kësaj zyreje. “është një punë, që është vërejtur edhe nga qytetarët edhe nga i gjithë qyteti jonë. është ky numri maksimal e kontratave të lidhura, në krahasim me vitet e mëparshme”, ka thënë Oruçi.
E mirë tjetër gjatë këtij vitit, sipas Oruçit është se, të gjitha punët që ishin të parapara, nuk kanë pritur sa i takon procedurave të tenderimit, por me ardhjen e kërkesave për tenderim, Zyra e Prokurimit në Ferizaj, menjëherë të nesërmen është bërë publikimi. “Jemi munduar të jemi sa më efektiv dhe të suksesshëm”, ka thënë Oruçi.
Me gjithsej 194 kontrata të nënshkruara, për 1 vit, Zyra e Prokurimit të Ferizaj, mbylli vitin 2010, që cilësohet si viti me numrin maksimal të kontratave të lidhura, në krahasim me vitin e kaluara.
Gjatë këtij viti zyra e Prokurimit në Ferizaj, ka nënshkruar gjithsej mbi 190 kontrata pune, kontrata këto të nënshkruara në bazë të shpalljes së tenderëve dhe realizimit të paraparë të projekteve që kryesisht kishin të bëjnë me shërbime dhe investime kapitale.