Sipas shefit të Zyrës së Prokurimit të Komunës së Ferizajt, Fehmi Rekës, kompania “Papenburg-Adriani”, ka qenë oferta më e lirë për këtë projekt.
“Është bërë vlerësimi i ofertave dhe në bazë të poentimit fitues ka dalë kompania “Papenburg-Adriani”, me një kosto totale prej 1 milion e 800 mijë euro”, ka thënë Reka, duke theksuar faktin se ky ka qenë njëri ndër operatorët më të lirë, pavarësisht asaj kriteri ka qenë ekonomikisht më i favorshëm", tha Reka.
Projekti i rrugës “Rexhep Bislimi” në Ferizaj, konsiderohet si njëri ndër projektet më të rëndësishme të këtij viti, projekt ky i cili do të lidhet edhe më autostradën Prishtinë- Shkup.
Rruga “Rexhep Bislimi”, do të jetë me katër shirita të ndërtimit, ku dy do të jenë shirita kryesor qarkullues, ndërsa dy shiritat anash do të jetë shirita për ndalje, nuk do të ketë pengesa të mesit në këto katër shirita që parashihen në kuadër të asfaltimit të rrugës “Rexhep Bislimi”. Do të ketë trotuare me dy metra gjerësi dhe do të ketë shirit të biqiklistëve me gjerësi prej 1 metër.
Është bërë e ditur se nënshkrimi i kontratës me kompaninë “Papenburg-Adriani”, pritet të bëhet me 13 maj pas periudhës së ankesave që parashihen me ligj, ku pastaj pritet të fillojnë edhe procedurat e fillimit të ekzekutimit të kontratës.
Projekti i rrugës “Rexhep Bislimi” është projekt dy vjeçar.
Kompania “Papenburg- Adriani”, është shpallur fitues i tenderit për rregullimin e rrugës “Rexhep Bislimi” në Ferizaj, pas shqyrtimit dhe vlerësimit të ofertave.