Gjatë ditës së sotme, Drejtori i Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Gazmend Bytyçi, së bashku me zyrtarë të tjerë, ka pritur në një takim vullnetarin amerikan të Korpusit të Paqes, Noah Natale Schwab, i angazhuar në Sektorin e Rinisë.
Gjatë këtij takimi u theksua se Noah ka dëshmuar përkushtim të jashtëzakonshëm në fuqizimin e të rinjve, duke kontribuar në një sërë aktivitetesh edukative, sociale dhe zhvillimore. Përveç angazhimit të tij institucional, ai ka qenë aktiv edhe në mbajtjen e kurseve të gjuhës angleze në Qendrën Socio-Edukative të Caritas Kosova në Dubravë, si dhe në shkolla fillore, duke ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e njohurive, vetëbesimit dhe motivimit të nxënësve dhe të rinjve.
Në këtë takim ishin të pranishme edhe përfaqësuese nga Korpusi i Paqes, përfshirë Aliyya Mattos, Drejtoreshë për Trajnime dhe Operim, Merita Fehmiu, Menaxhere e Projektit për Vullnetarë, si dhe zyrtarë nga Sektori i Rinisë dhe të rinj aktivistë.
Kontributi i Noah Natale Schwab përbën një shembull frymëzues të vullnetarizmit, bashkëpunimit ndërkulturor dhe përkushtimit për të mirën e rinisë. Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport e falënderon përzemërsisht për gjithçka që ka dhënë dhe i uron suksese të mëtejme në rrugëtimin e tij profesional dhe njerëzor.