Në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Ferizaj u mbajt takimi profesional me temë “Cilësia e Shërbimeve Shëndetësore në QKMF”, i cili mblodhi profesionistë shëndetësorë, përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë, AQH-së dhe DSHMS-së, përfaqësues të organizatave partnere, bashkëpunëtorë dhe mysafirë të shumtë.
Në kuadër të këtij takimi u zhvillua edhe ceremonia e pranimit dhe dorëzimit të Certifikatës së Cilësisë ISO 9001:2015 për QMF-2 në qytet dhe QMF-10 në Prelez të Muhaxherëve. Ky është një sukses i rëndësishëm për QKMF-Ferizaj dhe një dëshmi e përkushtimit institucional ndaj cilësisë, sigurisë së pacientit dhe përmirësimit të vazhdueshëm të shërbimeve shëndetësore.
Në fjalën e saj, drejtoresha e QKMF-Ferizaj theksoi se certifikimi ISO 9001:2015 nuk përfaqëson vetëm një dokument, por mbi të gjitha punë, përgjegjësi, profesionalizëm, bashkëpunim dhe përkushtim për ofrimin e shërbimeve të sigurta, cilësore dhe dinjitoze për qytetarët.
Gjatë takimit u prezantuan të arriturat në fushën e menaxhimit të cilësisë, auditimeve dhe standardizimit të proceseve, digjitalizimit të administratës, sigurisë dhe shëndetit në punë, trajnimit të stafit, si dhe bashkëpunimit me institucionet relevante dhe Këshillin e Pacientëve.
Drejtori i DSHMS-së, Dr. Kemajl Emini, shprehu mirënjohjen për të gjithë punëtorët shëndetësorë të Ferizajt – ata që shërbyen para luftës, gjatë luftës dhe ata që vazhdojnë të kontribuojnë edhe sot. Ai theksoi se kontributi i tyre duhet të kujtohet dhe nderohet çdo vit, më 15 Qershor – Ditën e Shëndetësisë Ferizajase, para Obeliskut në QKMF.
Dr. Emini uroi dhe falënderoi të gjithë stafin e QKMF-Ferizaj për arritjen e certifikimit, si dhe për licencimin e shërbimit të radiologjisë, duke vlerësuar punën dhe angazhimin e vazhdueshëm të profesionistëve shëndetësorë.
Fjalë përshëndetëse dhe falënderimi u përcollën edhe nga Udhëheqësi i Divizionit për Cilësi, Dr. Hajrullah Fejza, zëvendësdrejtori i AQH-së, Dr. Bajram Maxhuni, përfaqësuesit e Qatar Charity nga Katari, Qendresa Kosovare nga Kuvajti, si dhe në emër të Kryetarit të Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, përshëndeti Shefi i Kabinetit, Albion Sherifi.
Në kuadër të ceremonisë u bë edhe ndarja e licencës për shërbimin e radiologjisë, certifikatave për individë sipas standardeve ISO, si dhe certifikatave për trajnimet e punëtorëve të radiologjisë.
Drejtoresha e QKMF-Ferizaj shprehu mirënjohje të veçantë për Ministrinë e Shëndetësisë, AQH-në, DSHMS-në, Këshillin e Pacientëve, partnerët dhe bashkëpunëtorët, ndërsa falënderoi në mënyrë të veçantë të gjithë punëtorët e QKMF-Ferizaj për punën, angazhimin dhe përkushtimin e tyre të vazhdueshëm.
Ky certifikim nuk shënon përfundimin e një procesi, por fillimin e një përgjegjësie edhe më të madhe për të jetuar, zbatuar dhe përmirësuar standardet e cilësisë në punën e përditshme.