Në valën e shpifjeve e keqinformimit pothuajse të çdo ditshëm të opinionit publik nga eksponentë opozitarë lokal e të tjerë, në lidhje me pikën e rendit të ditës që do të trajtohet e për të cilën do të vendoset nga anëtarët e Kuvendit në Kuvendin e Komunës së Ferizajt në lidhje me propozim-vendimin për këmbimin e ngastrave kadastrale 2435-1 dhe 2435-2 ZK Ferizaj prona private me një pjesë të ngastrës kadastrale 180-10 ZK Talinoc i Jerlive, pronë e Komunës së Ferizaj, për hir të informimit të drejtë të qytetarëve japim sqarimin e mbështetur në fakte dhe të vërtetën lehtësisht të verifikueshme si vijon:
1. Ky këmbim i pronës komunale me atë private bëhet në interesin e Komunës me qëllim të krijimit të kushteve të nevojshme ligjore, teknike e infrastrukture për realizimin e projektit “Sheshi i Fjalës së Lirë” nismë kjo e një grupi intelektualësh e të shoqërisë civile që hapësira përskaj pronës së KEDS-it në Ferizaj të shpallet shesh në kujtim dhe nderim të intelektualëve, autorëve e shkrimtarëve, veprat e të cilëve u dogjën me vendime gjyqësore në këtë hapësirë në periudhen e komunizmit. Pra ka rëndësi përveç infrastrukturore duke mundësuar rregullimet e punimet në modernizimin e hapësirës, edhe aspektin historik e të kujtesës kolektive.
2. Ngastrat kadastrale private, që kufizohen me pronën e KEDS-it, objekt i këtij këmbimi, aktualisht janë në përdorim publik, çka moskëmbimi i tyre, përkatësisht mosgjetja e zgjidhjes institucionale për këtë hapësirë do të pamundësonte qarkullimin/frekuentimin e saj nga qytetarët në këtë pronë private në qendër të qytetit – dëm ky i madh me pasoja të ndërvarura për gjithë qarkullimin në këtë zonë.
3. Prona komunale që do të këmbehet me këto dy prona private, pra parcela 180-10 ZK Talinoc i Jerlive, nuk do të këmbehet në tërësi, por një pjesë e saj, e barasvlefshme me pronat private përkatëse në qendër të qytetit dhe natyrisht e vlerësuar si ligjshmëri dhe në pikëpamje vlerore kjo edhe nga instancat qeveritare – Ministria përkatëse. Pra, keqkuptimi i qëllimshëm e shpifja qëndron në faktin se po jepet prona komunale në tërësi gjersa mirëfilli lehtë i verifikueshëm është fakti se këmbimi propozohet të ndodh vetëm për një pjesë të kësaj parcele.
4. Nga ky këmbim mes pronës komunale ku gjendet edhe shtatorja e Dëshmorit të Kombit – Driton Islami – Toni, me pronat private të lartcekura, nuk cenohet asnjë metër i hapësirës së shtatores dhe parku përskaj saj, fakt ky që mbështetet në vendimin e Kuvendit të Komunës së Ferizajt nr. 01/Nr. 2863 të vitit 2005, për destinimin e pjesës së ngastrës kadastrale 180/10 për ngritjen e shtatores së Dëshmorit të Kombit, Driton Islami, ndërsa me Vendimin e Kuvendit për plotësimin dhe ndryshimin e këtij vendimi të datës 30.05.2024, destinimi është përcaktuar për hapësirën e parkut dhe Shtatores së Dëshmorit të Kombit, Driton Islami. Pra, në asnjë rrethanë, me asnjë shkronjë /propozim, nuk cenohet asnjë metër e hapësirës së shtatores dhe parkut vendosur kjo me dy vendime të Kuvendit të Komunës për shtatoren dhe parkun përskaj shtatores së Dëshmorit të Kombit, Driton Islami.
5. Është i mirëditur fakti se vlerësimin për çdo vendim të Kuvendit të Komunës e bën Ministria përkatëse sipas legjislacionit në fuqi, pra është Ministria ajo që vlerëson, kurse vendimmarrja është në bindjen e lirë të secilit anëtarë të Kuvendit.
6. Duhet theksuar se kjo çështje është trajtuar në disa etapa në nivele institucionale, pra nuk ka ardhur si propozim i çastit, për këtë më:
27.09.2024 – pika për këmbimin e ngastrave është aprovuar nga Kuvendi Komunal i Ferizaj;
23.01.2025 – është nxjerrë raporti i vlerësimit nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT);
23.07.2026 – është bërë kërkesa për korrigjimin e gabimit teknik në dokumentacionin përkatës të raportit të vlerësimit;
11.08.2026 – Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka aprovuar korrigjimin e gabimit teknik.
Pra si propozim, ka kaluar filtrat institucional të vlerësimit të ligjshmërisë sipas të gjitha procedurave ligjore përkatese.
Për korrektësi dhe informim të drejtë të qytetarëve, duhet theksuar se vlerësimi i pronave nuk bëhet nga Komuna e Ferizaj.
Vlerësimi është kompetencë e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, si institucion kompetent për këtë proces.
Bashkë me këtë sqarim bashkëngjisim vlerësimet përkatëse të MFPT-së, dokumentacioni relevant për parkun “Sheshi i Fjalës së Lirë” , skica e hapësirës së destinuar për parkun dhe Shtatoren e Dëshmorit të Kombit, Driton Islami dhe skicën për pjesën e ngastrës kadastrale për këmbim.