Gjatë ditës së nesërme do të hapet konkursi plotësues për dy paralelet që do të shtohen në Gjimnazin ”Kuvendi i Arbërit”. Sipas drejtorit të Drejtorisë Komunale të Arsimit në Ferizaj, Agim Berishës, paralelet do të hapen me një vendim të cilin ka marr kjo drejtori, por edhe kryetari i Komunës, Bajrush Xhemaili. “Kemi marr qëndrim që të hapen edhe dy paralele të reja në gjimnazin matematiko-shkencor, në mënyrë që po thuhej se kanë mbetur shumë nxënës të shkëlqyeshëm pa u regjistruar dhe presioni ka qenë më i madh i nxënësve dhe i qytetarëve që të hapen edhe disa paralele 1 ose 2 paralele, ne kemi marr vendim me kryetarin që të hapen 2 paralele”, ka thënë drejtori Berisha.
Ai ka mohuar kategorikisht se nuk do të ketë në ato paralele më shumë se 39 nxënës.”Numri nuk ndryshon i nxënësve në klasë, por nuk ndryshojnë kriteret e konkursit, por do të regjistrohen sipas kritereve të konkursit. Bëjmë apel që të mos tërhiqet asnjë nxënës nga shkolla e bujqësisë dhe teknikës, sepse e din që nuk i kanë plotësuar kriteret, por vetëm ata që kanë ngelur pa u regjistruar, por që i plotësojnë kriteret e konkursit”, ka sqaruar Berisha.
Është bërë e ditur se në komisionin për pranimin e nxënësve do të jetë dy përfaqësues të shkollës dhe një nga Drejtoria Komunale e Arsimit në Ferizaj. Kriteret nuk do të ndryshohen, por do të jenë ato kritere të cilat i ka përcaktuar ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Kosovës. Konkursi do të jetë i hapur të premten dhe të shtunën, ndërsa rezultate do të dalin të hënën.
Drejtoria Komunale e Arsimit në Ferizaj, sot ka marr vendim që në Gjimnazin”Kuvendi i Arbërit” të shtohen edhe dy paralele të reja me nga 39 nxënës.