Sot, në sallën e Kuvendit të Komunës së Ferizajt, ishin mbledhur familjarë, bashkëpunëtorë, drejtues të pushtetit lokal si dhe shumë zyrtarë komunalë, me rastin e pensionimit të koleges së tyre, Suzana Reshani Mustafa.
Të pranishmëve me një fjalë rasti iu drejtua nënkryetari i Komunës së Ferizajt, Lulzim Aliu, i cili vlerësoi lart kontributin e Suzanës gjatë tri dekadave në administratën komunale.
E veçanta e kësaj ceremonie ishte edhe prania e kujdestarit të klasës së saj, Ramdan Hasani. Ai tha se Suzana kishte qenë një nxënëse shembullore, e dalluar për zgjuarsi dhe energji pozitive.
Për jetën dhe kontributin e Suzanës foli edhe deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Elmi Reçica, drejtori i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Socaile Dr. Kemajl Emini si dhe drejtues të Shoqatës së të Burgosurve Politikë, ku zonja Reshani- Mustafa ishte pjesë, duke qenë edhe femra e parë e burgosur politike në Ferizaj.
Në emër të familjes, të pranishmit i përshëndeti vajza e Suzanës, Hysnije Mustafa.
Ndërsa në fund, Suzana, me shumë emocion, falënderoi të gjithë të pranishmit në ceremoninë e pensionimit të saj. Ajo shprehu mirënjohje për secilin me të cilin kishte bashkëpunuar gjatë viteve sa shërbeu si zyrtare e lartë në Drejtorinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Ferizaj.
Në përfundim të ceremonisë u dhuruan buqeta me lule dhe dhurata të shumta.