
Drejtor i gjimnazit "Kuvendi i Arbërit", Ali Azemi ka thënë se vendosja e kamerave në këtë institucion arsimor ka një rëndësi shumë të madhe për sigurinë e nxënësve. "Vendosja e kamerave në këto shkolla ka një rëndësi shumë të madhe, sepse në mënyrë vizuele përcillen të gjitha lëvizjet e nxënësve gjatë orës mësimore, brenda objektit shkollor por edhe jashtë tij. Me vendosjen e kamerave është përmirësuar dukshëm edhe sjellja e nxënësve. Këtu është një kategori e nxënësve që janë shumë të mirë, por ka edhe të tjerë, të cilët nuk e meritojnë që të jenë në këtë gjimnaz. Shembull konkret gjatë vitit të kaluar kemi, pasur 5 deri në 6 dyer të dëmtuara , ndërkaq gjatë këtij viti nuk kemi asnjë derë të dëmtuar" ka thënë drejtori Azemi.
Ndërsa drejtori i Drejtorisë komunale për Mbrojtje Civile dhe Emergjencë, Ibrahim Hyseni theksoi se kjo iniciativë është ndërmarrë me qëllim të vetëm që të krijohet siguri shumë e madhe në këto shkolla.
"Instalimi i kamerave është bërë në katër shkolla të mesme të komunës së Ferizajt. Është bërë instalimi i kamerave në dy godinat e gjimnazeve, në shkollën e mesme të mjekësisë "Elena Gjika" dhe në shkollën e mesme profesionale "Pjetër Bogdani" në Ferizaj. Ky projekt është realizuar mjaft mirë dhe është shumë i pranueshëm edhe teknikisht. Është një vlerësim i përgjithshëm se me vendosjen e kamerave janë eliminuar edhe rastet e incidenteve të ndryshme nëpër shkolla" ka thënë drejtori Hyseni, ndërsa ka shtuar se nëse tregohet i suksesshëm ky projekt, instalimi i kamerave do të bëhet në të gjitha shkollat e komunës së Ferizajt.
Në një takim më pas mbajtur me KKSB-ve të Ferizajt, Shtimes dhe Graçanicës, të cilat këshilla janë ndihmuar nga FIQ dhe Saferworld është bërë një vlerësim më i detajuar i projekteve të realizuara. Nazim Haliti nga FIQ ka thënë se bashkëpunimi i mirë dhe KKSB dhe komunat ka sjell deri tek projetet e para të rëndësishme për komunitetin e nxënësve të Ferizajt dhe Shtimes, ndërsa gjatë takimeve janë adresuar shumë nga problemet preokupuese të qytetarëve që ndërlidhen me situatën e sigurisë. Haliti dhe përfaqësuesi i organizatës Saferworld, Astrit Istrefi shtruan nevojën e financimit nga ana e komunës të disa prej projekteve kësodore që ndërlidhen me sigurinë e qytetarëve dhe rritjen e nivelit të sigurisë së tyre.
Përveç në Ferizaj, këto dy organizata kanë financuar projektin e rregullimit të trotuarit dhe ndriçimit publik në rrugën që të shpie tek shkolla e mesme në Shtime. Për rëndësinë e këtij projekti në këtë takim, ka folur kryesuesi i Kuvendit Komunal të Shtimes, Kujtim Xhelili.
Partnerët në këtë takim janë dakorduar që të vazhdojnë bashkëpunimin edhe në të ardhmen.
Projekti është realizuar falë partneritetit të shkëlqyer të pushtetit lokal dhe Organizatave Forumi për Iniciativa Qytetare (FIQ) dhe Saferworld, të cilët bashkarish financuan këtë projekt, projekt që ka rritur nivelin e sigurisë në shkolla.