Mbrëmë, në Galerinë e Arteve në Ferizaj, u promovuan dy botime të autorit Thodhori Miho: vëllimi poetik “Trëndafili i egër i malit” dhe libri me rrëfime historike “Gjergj Basta dhe Kapedanët e Senicës”. Aktiviteti u organizua nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport e Komunës së Ferizajt, në bashkëpunim me Klubin Letrar “De Rada”.
Mbrëmja u hap me një interpretim instrumental në piano nga profesori Shaban Ratkoceri, ndërsa të pranishmit i përshëndeti, në emër të Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, përgjegjësi i Sektorit të Kulturës, Sabri Pajaziti. Me fjalë përshëndetëse u paraqitën edhe kryetarja e Shoqatës Greko-Shqiptare “Progresi”, Eva Paloka, aktivistja e kësaj shoqate, Maria Musaraj, si dhe kryetari i Klubit Letrar “De Rada”, Arsim Hamiti.
Për vlerat letrare të vëllimit poetik foli Lirije Kajtazi, ndërsa librin me rrëfime historike e paraqiti Shaip Ademaj. Kontributi në krijimin e këtij bashkëpunimi kulturor u vlerësua edhe nga Ragip Kqiku, ideator dhe ndërlidhës i bashkëpunimit ndërmjet Shoqatës “Progresi”, Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport dhe Klubit Letrar “De Rada”.
Në fund të promovimit, të pranishmëve iu drejtua edhe vetë autori, Thodhori Miho, i cili foli për krijimtarinë e tij, frymëzimet dhe rrugëtimin letrar.
Ky aktivitet shënoi njëkohësisht nisjen e bashkëpunimit kulturor ndërmjet Klubit Letrar “De Rada” në Ferizaj dhe Shoqatës Greko-Shqiptare “Progresi” në Selanik, me synimin për të forcuar lidhjet mes krijuesve shqiptarë brenda dhe jashtë atdheut, si dhe për të zgjeruar bashkëpunimin në fushën e kulturës dhe letërsisë.