Në Galerinë e Arteve në Ferizaj u promovua sot përmbledhja poetike “Libër heroik / erotik” e autores maqedonase Marta Markoska, e përkthyer në gjuhën shqipe nga shkrimtari dhe publicisti Daut Dauti.
Ky aktivitet u organizua nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport e Komunës së Ferizajt, në kuadër të manifestimit tradicional “Ditët e Mërgatës”.
Të pranishmit patën mundësinë të njiheshin nga afër me krijimtarinë e autores, veçantitë e këtij vëllimi poetik dhe procesin e përkthimit të tij në gjuhën shqipe.
Për librin dhe përkthimin foli Daut Dauti, ndërsa studiuesi dhe kritiku letrar Lirim Alija paraqiti një vështrim kritik mbi botën poetike të autores. Gjatë mbrëmjes u lexua edhe një refleksion i kritikut letrar Hashim Baftiari, i cili e vlerësoi poezinë e Markoskës si një ndërthurje të fuqishme të dashurisë, trupit, lirisë, identitetit dhe vetëpohimit.
Poezi nga libri lexoi vetë autorja Marta Markoska në gjuhën maqedonase dhe angleze, ndërsa në gjuhën shqipe interpretuan Daut Dauti, Lirim Alija dhe Zyrafete Shala. Atmosferën artistike të mbrëmjes e pasuroi interpretimi në piano i Ilire Avdiut.
Ky takim letrar i solli publikut ferizajas një zë të veçantë të poezisë bashkëkohore maqedonase dhe dëshmoi edhe një herë fuqinë e letërsisë dhe të përkthimit për të kapërcyer kufijtë gjuhësorë e kulturorë, duke ndërtuar ura dialogu, mirëkuptimi dhe bashkëndjesie mes popujve.