Ferizaj shënoi me nderime dhe aktivitete përkujtimore 12 Qershorin – Ditën e Çlirimit të Kosovës dhe të Ferizajt, duke kujtuar sakrificën e dëshmorëve, martirëve dhe luftëtarëve të lirisë që dhanë jetën për çlirimin e vendit.
Me këtë rast, kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, theksoi se 12 Qershori mbetet një datë e lavdisë dhe krenarisë kombëtare, e lidhur përjetësisht me emblemën e lirisë – Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
Në kuadër të shënimit të përvjetorit të çlirimit, Ferizajt iu shtua edhe një simbol i ri nderi dhe krenarie. U përurua shtatorja e Vezir Jashari, duke përjetësuar figurën dhe veprën e tij si luftëtar i paepur, mbrojtës i atdheut dhe një ndër bijtë më të denjë të lirisë.
Duke nderuar kujtimin e të gjithë atyre që sakrifikuan për lirinë e Kosovës, kryetari Aliu përcolli mesazhin se vepra dhe heroizmi i dëshmorëve do të mbeten përherë udhërrëfyes për brezat e ardhshëm.
“Lavdi Dëshmorëve të Kombit dhe të gjithë të rënëve për liri! Lavdi Dëshmorit të Kombit, Vezir Jashari! Urime Dita e Çlirimit të Kosovës dhe Ferizajt!”, thuhet në mesazhin e kryetarit Aliu.