Bashkë me kryetarët e komunave dhe mijëra zyrtarë komunal e qytetarë protestuam sot në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, me besimin e deleguar nga qytetarët, në emrin e tyre e për shërbimet që qytetarët presin nga ne, për t’i thënë MJAFT qasjes së padrejtë e të pabarabartë të qeverisë qendrore, që po shtyn komunat buzë shkatërrimit, me arkat buxhetore bosh, pa shërbime, pa projekte për qytetarët, me tendenca të qarta centralizuese e të kundërligjshme, duke cenuar rëndë autonominë e funksionimin e Komunave të Kosovës.
Komunat nuk janë të kryetarëve, komunat janë të qytetarëve, andaj në emrin e tyre e për shërbimet që i ofrohen qytetarëve kërkojmë nga Qeveria:
• Kompensimin e mjeteve të marra nga buxhetet komunale për kontratat kolektive;
• Zbatimin e normës së përvojës së punës prej 0.5% dhe mbulimin e kostos nga buxheti qendror;
• Financimin e plotë të arsimit parauniversitar dhe të rreth 3,100 mësimdhënësve të pambuluar;
• Mbrojtjen e pronës dhe kompetencave komunale;
• Ndarjen e 2 milionë eurove të mbetura nga Granti i Performancës Komunale;
• Përgjegjësi për humbjen e fondeve të Bashkimit Evropian të destinuara për komunat;
• Kompensimin e dëmeve nga vërshimet dhe fatkeqësitë natyrore;
• Themelimin e Grantit të Katërt për investime kapitale;
• Ndarje të drejtë dhe transparente të investimeve;
• Përfshirjen e detyrueshme të komunave në vendimmarrjen për çështjet që i prekin ato.
MOS UA MERRNI KOMUNAVE ATË QË U TAKON QYTETARËVE!