Në seancën e radhës së Kuvendit Komunal të Ferizajt, këshilltarët, ishin unanim për vendimin që të shpallet tender për transmetimin e plotë të seancave të Asamblesë Komunale në mediat lokale. Deputetja Lumnie Morina, propozoi që pos në TV lokale, të mundësohet transmetimi edhe në ndonjë radio lokale u shqyrtuan edhe disa pika të paraparë për këtë seancë, ku Mustafë Grainca, Drejtor i Drejtorisë për Ekonomi, Financa dhe Buxhet, këshilltarët i njoftoi mbi ecurinë financiare për tremujorin e parë të vitit 2010, në të hyra vetanake dhe në shpenzimet e krijuara për këtë periudhë. Në tersi, në kuadër të hyrave vetanake Administrata e Komunës ka arritur të realizoj shumën e mbi 565 mijë eurove, që po të vihet në krahasim me tremujorin e parë të vitit 2009 ka shënuar rënje prej 0.03 përqind. Grainca, ka thënë se vlera e inkasimit të hyrave në vitin 2010 është në kufijtë e realizimit të vitit 2009, duke përjashtuar të hyrat nga gjobat e gjykatave të cilat pasqyrohen në bazën e të hyrave nga departamenti i të hyrave pran MEF në muajin qershor për gjashtëmujorin e parë dhe në dhjetor për gjashtëmujorin e dytë. Në kuadër të kësaj periudhe buxheti i vitit 2010 është shpenzuar për të gjitha kategoritë 15.21 përqind. Gjatë kësaj seance, Qazime Vata, Drejtoreshë e Drejtorisë për Urbanizëm, kërkoi shfuqizimin e vendimit 01 nr.6 të datës 30.05.2010, me të cilin i është dhënë në shfrytëzim Kompanisë Sllovene “Teknopolis”, një ngastër kadastrale në fshatin Gërlicë, dhe një tjetër në fshatin Komogllavë, të cilat ishin pronë e Komunës së Ferizajt, për ndërtimin e Prakut Teknologjik. Vata ka thënë se Ministria e Transportit dhe e Post Telekomunikacionit, ka hartuar projektin ideor të autoudhës dhe i njëjti projekt është dorëzuar në DU. “Kemi konstatuar që autoudha e projektuar e ndanë në gjysmë lokacionin e propozuar për pakun teknologjik dhe e hedh poshtë projektin e hartuar për këtë park teknologjik”, ka thënë Vata. Propozimi për shfuqizimin e vendimit të kërkuar nga Vata, pa asnjë votë kundër mori dritën jeshile nga këshilltarët e kuvendit. Po ashtu edhe propozim vendimi tjetër i DU, për destinimin e pjesës kadastrale numër 1045/1 për rrugë publike e cila do të shfrytëzohej për qasje në Qendrën e IV-të Mjekësisë Familjare, u miratua pa vota kundër. Gjatë kësaj seance u bë edhe emërimin i anëtarëve të komitetit të kategorive të daluar nga lufta e UÇK-së. Deputetët parashtruan edhe disa pyetje. Kështu Ylber Topalli, u interesua për faktin se në disa rrugë, e sidomos në rrugën "Vëllëzrit Gërvalla", disa shoferë ngasin veturat e tyre me shpejtësi të madhe dhe për pasojë kohëve të fundit pësuan rëndë tre qytetarë, nga makinat që ngasin automjetet edhe mbi njëqind kilometra në orë. Ai propozoi që policia të patrullojë më shesh në këtë rrugë dhe në disa tjera, sidomos pas orës 21. Deputeti Adem Sejdiu, bëri vërejtje se në rrugën e re që po ndërtohet për fshatin Greme e Gaçkë, nuk janë parapa askund vendet ku do të ndalen autobusët, të cilët do të detyrohen ta bëjnë këtë midis rrugës. Kurse Sahit Krasniqi, paraqiti vërejtjen se komuna nuk po arrin të inkasojë borxhet prej lokaleve të tyre të dhënë me qira dhe potencoi se janë më të mëdha obligimet se inkasimet prej qirave të dhëna nga ana e komunës. Ndërsa në fund të seancës Agim Aliu Kryesues i Kuvendit të komunës dha një shpjegim për shpalljen qytetare nderi e komunës së Ferizajt, e humanistes serbe Natasha Kandiç. “Nuk është refuzua, por është shtyrë për më vonë”, ka thënë Aliu .Pasi u miratuan të gjitha pikat e parapara në këtë seancë, u mor vendimi që të shpallet tender për transmetimin e plotë të seancave të Asamblesë Komunale në mediat lokale