Deputeti nga Ferizaj, Enver Haliti, në emër edhe të shokëve të tij, siç tashmë e ka bërë traditë, kur ballafaqohet me faktet e argumentet e parrëzueshme, përmes postimeve publike, duke kujtuar se fjalët e tij paraqesin fakte, tenton të mashtroj haptazi ferizajasit. Ai sot, duke tentuar të përvetësoj e t’i partizoj nismat e projektet e kahershme të Ferizajt, lansoi gënjeshtrat e radhës.
Për sqarim të bashkëqytetarëve tonë, rikujtojmë se projektet që përmenden nga i lartcekuri në postime publike, janë projekte të Ferizajt kaherë, madje edhe kur ai e shokët e tij, nuk ishin në pozicionin e partinë që janë sot, kjo është e vërteta që e di secili ferizajas.
– Projekti i Stadiumit të Qytetit, është që nga viti 2017 në Buxhetin e Republikës së Kosovës, madje në faza të caktuara pikërisht ky projekt, në mënyrë të pashembullt, është penguar nga deputeti dhe shokët e tij. Komuna e Ferizajt duke qenë palë në këtë proces, ka lehtësuar dhe mundësuar të gjitha veprimet për nisjen e realizimit të këtij projekti, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
– Projekti për impiantin e trajtimit të ujërave të zeza, nuk është projekt ekskluzivisht qendror, porse është kredi nga BERZH-i (Banka Evropiane e Rindërtimit dhe Zhvillimit), ku Komuna e Ferizajt ka marr përsipër shpronësimin milionësh, për të vetmin qëllim mundësimin e realizimit të këtij projekti, pa lënë anash faktin se deputeti dhe shokët e tij, penguan për vite procesin e nisur dhe ratifikuar në Kuvend të Kosovës vite më parë, kredinë hungareze ku e dështuan këtë nismë, duke i humbur vite Ferizajt për ta pasur të përfunduar këtë projekt.
– Gropat siç i quan ai dhe shokët e tij – nënkalimet e realizuara në Ferizaj, janë vepra madhore infrastrukturore që po merren model nga komunat e tjera, realizimi i tyre ka shpëtuar jetë qytetarësh nga rreziku i qarkullimit të trenit e mbi të gjitha ka transformuar e lehtësuar qarkullimin në qendrën e qytetit. Shih për këtë, për këtë projekt të “gropave”, ditë më parë nënshkruam marrëveshje me Ministrinë e Infrastrukturës për financimin e këtij projekti, porse pikërisht presioni i deputetit dhe shokëve të tij, çoi drejt anulimit të kësaj marrëveshje.
Si duket vetëm vapa e gjuha e propagandës që e shquan deputetin e shokët e tij, mund të “arsyetoj” këto deklarime të gënjeshtërta, përndryshe e vërteta është një, e pastër dhe e qartë kristal për ferizajasit.
Farsat e deputetit dhe shokëve të tij, janë të tejdukshme e krejt qesharake, duke u dëshmuar me këto deklarime roli i tyre, jo siç do duhej të ishte përfaqësues i interesit të Ferizajt, por pengues i projekteve për Ferizajn.
Komuna e Ferizajt, ka raport konkret e korrekt me dikasteret qeveritare, me të cilët kemi shtyrë përpara disa nga projektet tona, porse kjo gjuhë e deputetit dhe shokëve të tij, është minuese pikërisht e këtij raporti, në dëm të Ferizajt e interesit të ferizajasve.
Deputeti dhe shokët e tij, janë në vrap vetëm për pak vëmendje e protagonizëm, ngaqë asgjë tjetër nuk i sollën Ferizajt, vetëm fjalë, propagandë, shpifje e të pavërteta për ta mbuluar paaftësinë e tyre përfaqësuese për qytetin që i dha besimin.
Ferizajasit kaherë pyesin deputetin e shokët e tij, cilin projekt konkret sollët për kaq vite për Ferizajn? Ferizajasit e thonë qartë edhe përgjigjen: Asnjë! Kjo është e vërteta që as një shpifje e gënjeshtër nuk mund ta rrëzoj.