Sot është mbajt takimi i parë publik i Kryetarit të Komunës së Ferizajt Agim Aliu për të diskutuar për të arriturat, sfidat, projektet e gjashtëmujorit të parë të këtij viti si dhe Kornizën Afatmesme Buxhetore 2025-2027.
Për mbi dy orë qytetarët dhe përfaqësuesit e fshatrave dhe zonave urbane, patën rastin që të bëjnë pyetje dhe të parashtrojnë kërkesat për komunitete ku jetojnë. Përgjithësisht u vunë në pah investimet që ka bërë Komuna e Ferizajt në të gjitha fshatrat e zonat urbane, për të cilën kryetarët e përfaqësuesit e fshatrave e zonave urbane falënderuan qeverisjen lokale.
Në hapje të diskutimit, i pari i Ferizajt, Agim Aliu njoftoi mbi punët, projektet e zhvilluara si dhe aktivitetet tjera që shënuan 6 mujorin e parë të këtij viti. Kryetari Aliu, tha se në vitin 2023 është marrë vendimi që të ulim 33% tatimin në pronë për vitin 2024.
“Në vitin 2023, tejkaluam planin për të hyrat vetanake për 36.11%, hartuam organogramin e ri të Komunës, për t’i dhënë administratës e shërbimeve komunale, një dinamikë të re pune”, është shprehur Aliu.
Kryetari Aliu, gjatë prezantimit të punës së tij, është ndalur edhe në planin e infrastrukturës, shërbimeve publike dhe mjedisit.
“Ferizaj u rangua i pari nga komunat e mëdha me 99% të buxhetit të shpenzuarnë realizimin e investimeve kapitale gjatë vitit 2023, vazhduam me intensitet të lartë punimet në ndërtimin e nënkalimit për vetura dhe këmbësorë pranë Stacionit Policor në Ferizaj, nisëm punimet në rikonstruktimin e plotë të rrugës “Besim Rexhepi” në qendër të qytetit, përfunduam me të gjitha standardet e nevojshme, me shteg të ciklistëve, trotuare të gjera, ndriçim publik, drunj dekorativ, rregullimin e pjesës së mbetur të rrugës “Ahmet Kaçiku” (nga shkolla “Gjon Serreqi” deri tek rrethrrotullimi i rrugës “Gursel e Bajram Sylejmani”), nënshkruam marrëveshje bashkëpunimi e financimi me Ministrinë e Infrastrukturës, për projektin e asfaltimit të rrugës Babush-Cërnillë-Mirash dhe rrugës Ferizaj- Pleshinë”, tha Aliu, përderisa ka përmendur edhe asfaltimin e rrugëve në qytet dhe fshatra të Ferizajt.
I pari i Ferizajt, Agim Aliu, në këtë takim publik të pranishmit i ka njoftuar edhe për fushën e arsimit, kulturës, rinisë dhe sportit. Ai ka përmendur ndarjen e bursave për të gjithë studentët ferizajas që aplikuan në konkursin vjetor të bursave për studentë.
“Po vijojnë drejt përfundimit punimet në ndërtimin e shkollës në fshatin Talinoc i Muhaxherëve, vijuan punimet në ndërtimin e shkollës në fshatin Neredime, përuruam tri salla sporti në shkolla, në shkollën “Astrit Bytyçi” në qytet, në shkollën “Pavarësia” në Balaj dhe në shkollën “Muharrem Shemsedini” në Fshatin e Vjetër, përfunduam rregullimin e fushave sportive në Gaçkë, Komogllavë dhe Fshat i Vjetër”, tha Aliu, përderisa ka përmendur edhe projektet e shumta që janë realizuar. Ai ka thënë së në këto 6 muaj të vitit 2024, u shënuan rezultate kulminante e morëm tituj kampioni në sport, si: Karateistja Alma Loki u shpall Kampione e Ballkanit në Kampionatin Ballkanik në disiplinën e katave/senior, Klubi i Hendbollit “Kastrioti” u shpall Fitues i Kupës së Kosovës,Klubi i Hendbollit “Ferizaj” (Femrat) u shpall Fitues i Kupës së Kosovës, Klubi i Futbollit “Ferizaj” u rikthye në Superligë, ku u shpallën Kampion të Kupës së Kosovës në Ligën e Parë të Futbollit, vajzat e Klubit të Volejbollit “Ferizaj” tani janë pjesë e elitës së volejbollit në Kosovë, me Klubin Letrar “De Rada” lidhëm marrëveshje bashkëpunimi ku secila vepër që do të botohet më fond publik nga Komuna do të marr vlerësim profesional nga Klubi Letrar “De Rada”,me financimin e Komunës, botuam dy vepra të veçanta me karakter historik, veprën me dokumente nga Arkivi Perandorak Osman “Ferizaj në dokumentet osmane 1873-1912″ me autor Prof. Dr. Ibrahim Gashi dhe Ayten Ardel si dhe veprën – projekt të Fakultetit të Studimeve Islame “Epitafet në gjuhën osmane – deshifrimi dhe përkthimi i tyre” me koordinator z. Fahrush Rexhepi.
Të pranishmit janë njoftuar edhe në fushën e shëndetësisë dhe mirëqenies sociale, në fushën e zhvillimit ekonomik e turizmit si dhe në fushën e bujqësisë.
Kryetari Aliu, në këtë takim publik ka thënë se në kuadër të Kornizës Afatmesme Buxhetore për vitin 2025-2027 janë paraparë edhe struktura e shpenzimeve sipas kategorive ekonomike. Sipas tij për vitin 2025 për shpenzime kapitale janë paraparë 12,102,172.32 euro , nga buxheti prej 46,393,312.00 euro.
Ndërkaq qytetarët e pranishëm në këtë diskutim, kanë lavdëruar punën e Kryetarit Aliu. Ata janë shprehur tejet mirënjohës për shumë projekte të cilat janë realizuar në të mirën e përgjithshme.
Qytetaret kanë parashtruar edhe një varg kërkesash të cilat kishin të bënin kryesisht me infrastrukturë rrugore. Pyetjeve të qytetarëve ju përgjigjën drejtorët e drejtorive komunale, por edhe Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu.