
Në këtë takim, sportistët Zagraxha dhe Kadriu uruan kryetarin Aliu për mandatin qeverisës dhe përgëzuan këtë të fundit për gjithë angazhimin institucional për mbështetjen e sportit ferizajas.
Në anën tjetër, kryetari Aliu u shpreh se Ferizaj ka për nder të ketë kampion e sportistë të tillë, pjesë të qytetarisë ferizajase dhe se mbështetja për talentët e sportit dhe këta dy sportistë kulminant nuk do të mungoj.
Granit Zagraxha ka zënë vendin e parë në sportin e peshëngritjes në disa kampionate siç është Kampionati i Kosovës në vitin 2015 dhe 2016 si dhe kampion mbarëkombëtar në Kampionatet e Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë, vitet 2015-2016 si dhe “Sportist i dalluar” ndër vite.
Ndërkaq, Gëzim Kadriu ka zënë vendin e pestë në Garat Evropiane të Bodybuilding-ut dhe Fitness-it të mbajtura në vitin 2014, vendin e dytë në Kampionatin e Kosovës 2016 , përfaqësues i Kosovës në Spanjë si dhe i shpallur “Sportist i dalluar” në vitin 2016.
Kryetari Aliu, pjesë të platformës së tij qeverisëse ka edhe mbështetjen e promovimin e talentëve në lëmi të ndryshme në këtë rast edhe në lëmin e sportit.