Inspektorati Komunal ka shqiptuar dy gjoba mandatore ndaj dy personave fizikë, të cilët janë kapur duke hedhur mbeturina në vende të papërshtatshme.
Ky veprim është realizuar falë bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet qytetarëve, Policisë së Kosovës dhe Inspektoratit Komunal, duke dëshmuar rëndësinë e angazhimit të përbashkët në mbrojtjen e mjedisit dhe ruajtjen e pastërtisë publike.
Secili nga kundërvajtësit është gjobitur me nga 200 euro. Njëri rast është evidentuar në rrugën magjistrale Ferizaj–Shkup, ndërsa rasti tjetër në fshatin Mirosalë.
Inspektorati Komunal apelon tek të gjithë qytetarët e Ferizajt që të kontribuojnë në ruajtjen e pastërtisë dhe mbrojtjen e mjedisit duke raportuar çdo person që hedh mbeturina në vende të papërshtatshme dhe duke njoftuar autoritetet kompetente për çdo veprim që dëmton mjedisin.
Institucionet komunale mbeten të përkushtuara në luftimin e ndotjes së mjedisit dhe paralajmërojnë se veprime të tilla do të vazhdojnë të monitorohen dhe ndëshkohen sipas legjislacionit në fuqi.