Me promovimin e librit “Shtet i Ri, Burrë Shteti Modern: Hashim Thaçi – një biografi”, të autorëve Roger Boyes dhe Suzy Jagger, botuar nga shtëpia botuese “Fan Noli”, është hapur zyrtarisht edicioni i sivjetmë i Panairit të Librit në Ferizaj.
Hapjen e panairit e bëri drejtori i Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Ferizajt, Gazmend Bytyçi, i cili vlerësoi rëndësinë e organizimit të këtij aktiviteti kulturor dhe theksoi se promovimi i kësaj biografie përbën një ngjarje të veçantë për hapjen e panairit.
Kryetari i Klubit Letrar “De Rada”, Arsim Hamiti, i njoftoi të pranishmit me programin e panairit, duke prezantuar aktivitetet që do të zhvillohen gjatë ditëve në vijim, si promovime librash, takime me autorë dhe ngjarje të tjera kulturore.
Të pranishmit i përshëndeti edhe Rexhep Hida, përfaqësues i shtëpisë botuese “Fan Noli”, i cili foli për rëndësinë e botimit të kësaj vepre dhe vlerat që ajo sjell për lexuesin.
Promovimi mblodhi autorë, botues, dashamirës të librit dhe qytetarë të shumtë, duke i dhënë një atmosferë të veçantë nisjes së edicionit të sivjetmë të Panairit të Librit. Vepra trajton jetën dhe veprimtarinë politike të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, duke ofruar një pasqyrë të zhvillimeve kryesore që kanë shënuar procesin e ndërtimit të shtetit të Kosovës.
Panairi i Librit në Ferizaj ka bërë bashkë shtëpi të shumta botuese nga Kosova dhe rajoni, duke ofruar një përzgjedhje të pasur botimesh për të gjitha grupmoshat. Përveç ekspozimit të librave, panairi do të shoqërohet edhe me promovime, diskutime letrare dhe takime me autorë, me synimin për të nxitur kulturën e leximit dhe për ta afruar librin edhe më shumë me publikun.