Në kuadër të Festave të Nëntorit, në Galerinë e Arteve në Ferizaj u hap sot ekspozita “Ekspozitë Artistike – Mirënjohje për Lirinë”, e realizuar nga nxënësit e shkollës së arteve “Çesk Zadeja”. Në këtë aktivitet u prezantuan piktura dhe vepra të ndryshme artistike, të cilat sollën krijimtari, emocion dhe reflektim në këtë periudhë të rëndësishme për historinë kombëtare.
Një pjesë e punimeve iu dhuruan familjarëve të dëshmorëve të Komunës së Ferizajt, si shenjë nderimi dhe mirënjohjeje për sakrificën dhe kontributin e tyre në rrugën e lirisë.
Organizata e Veteranëve të Luftës dhe Drejtoria e Kulturës u falënderuan për bashkëpunimin dhe mbështetjen e dhënë, që e bëri këtë aktivitet edhe më domethënës.
U vlerësua lart angazhimi i nxënësve të shkollës “Çesk Zadeja”, të cilët përmes artit po kontribuojnë në ruajtjen dhe pasurimin e kulturës dhe identitetit kombëtar.