Me një atmosferë solemne dhe emocionale, është hapur edicioni i 18-të i ekspozitës tradicionale “Gursel Sylejmani”, në kuadër të aktiviteteve kulturore për shënimin e 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovë.
Ekspozitën e shpalli të hapur Drejtori i Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Gazmend Bytyçi, i cili vlerësoi rëndësinë e kësaj ngjarjeje artistike dhe përkujtimore. Të pranishmëve iu drejtuan gjithashtu edhe Skender Bedriu, përgjegjës i Galerisë së Arteve, si dhe kryetari i jurisë.
Ekspozita me karakter garues u organizua nga Shoqata “Zef Kolombi” në bashkëpunim me Galerinë e Arteve, duke mbledhur gjithsej 78 pjesëmarrës. Juria profesionale, në përbërje prej tre anëtarësh – Eshref Qahili (kryetar), Ali Sinani dhe Emin Hasani – pas vlerësimit të punimeve, shpalli fitues piktorin Hajrush Fazliu.
Moment i veçantë i mbrëmjes ishte ndarja e çmimit për fituesin, ku drejtori Bytyçi ftoi për ta dorëzuar çmimin Diellin, birin e piktorit dhe heroit Gursel Sylejmani, duke i dhënë kështu ngjarjes një simbolikë të thellë përkujtimore dhe artistike.