Në kuadër të hartimit të buxhetit komunal për vitin 2026, Komuna e Ferizajt ka mbajtur një dëgjim buxhetor me përfaqësues të grupeve të nënpërfaqësuara, përfshirë pensionistët, personat me aftësi të kufizuara dhe kategori të tjera të ndjeshme të shoqërisë.
Takimin e hapi drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Dr. Kemajl Emini, i cili theksoi rëndësinë e përfshirjes aktive të këtyre grupeve në procesin e planifikimit buxhetor, për të siguruar që nevojat dhe shqetësimet e tyre të adresohen siç duhet.
Pjesëmarrësit falënderuan komunën për krijimin e hapësirës për të dëgjuar zërin e tyre dhe shpalosën sfidat kryesore me të cilat përballen çdo ditë. Pensionistët kërkuan sigurimin e një objekti të posaçëm për ta, ndërsa përfaqësues të shoqatave kërkuan më shumë fonde për të përmbushur kërkesat e anëtarëve të tyre.
Shoqata “Handikos” dhe “Down Syndrome Kosova” theksuan nevojën për mbështetje financiare përmes thirrjeve publike, për shkak të vështirësive në funksionimin e përditshëm.
Ndërkaq, përfaqësuesja e Qendrës për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve në Ferizaj kërkoi me urgjencë sigurimin e një objekti të përshtatshëm për funksionimin e kësaj qendre, duke theksuar se vetëm në katër muajt e fundit janë trajtuar mbi 50 raste të dhunës në familje.
Përfaqësuesit e Komunës shprehën gatishmërinë që të gjitha kërkesat e paraqitura të merren parasysh dhe të shqyrtohen seriozisht gjatë hartimit të buxhetit për vitin 2026. Ky dëgjim përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt ndërtimit të politikave më gjithëpërfshirëse dhe të ndjeshme sociale, me synim që asnjë grup të mos mbetet jashtë proceseve vendimmarrëse.