Në kuadër të organizimit nga Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA) dhe Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Kosova po merr pjesë në panairin ndërkombëtar “Foire de Paris 2026”, i cili po mbahet nga 30 prilli deri më 11 maj 2026 në Paris.
Në këtë ngjarje të rëndësishme ndërkombëtare, Kosova po prezanton potencialin e saj në fusha të ndryshme si:
turizmi
gastronomia
industria ushqimore dhe e pijeve
investimet dhe eksporti
artizanati dhe inovacioni
trashëgimia kulturore dhe mundësitë ekonomike
Një hapësirë e veçantë i është mundësuar edhe Ferizajt, për vendosjen e materialeve promovuese dhe prezantimin e potencialit ekonomik, turistik dhe zhvillimor që ofron komuna jonë.
Drejtori i Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit, Balton Derguti, i cili po merr pjesë në këtë panair, falënderoi organizatorët për mundësinë e prezantimit të Ferizajt në një ngjarje me rëndësi të madhe ndërkombëtare, duke theksuar rëndësinë e promovimit të qytetit tonë para vizitorëve dhe bizneseve nga vende të ndryshme të botës.