Qytetarë, zyrtarë komunalë dhe përfaqësues të shoqërisë civile mbështesin nismën legjislative qytetare të IKD-së.
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka nisur sot në Sheshin e qytetit në Ferizaj aktivitetin për mbledhjen e nënshkrimeve në kuadër të nismës legjislative qytetare për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Mbështetje për këtë nismë kanë dhënë edhe drejtues të Komunës së Ferizajt. Nënshkrimin e nismës e ka dhënë shefi i kabinetit të Kryetarit të Komunës së Ferizajt, Albion Sherifi, si dhe drejtorë të drejtorive komunale.
Nismën e kanë mbështetur gjithashtu qytetarë të shumtë të Ferizajt dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, të cilët kanë vizituar stendën e IKD-së, janë informuar për qëllimet e saj dhe kanë dhënë nënshkrimet e tyre.
Përmes kësaj nisme propozohet që moszbatimi i qëllimshëm i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të përcaktohet si vepër penale, si dhe të ndalohet përdorimi i parasë publike për përfitim elektoral gjatë periudhave zgjedhore dhe parazgjedhore.
Sipas IKD-së, këto ndryshime synojnë forcimin e sundimit të ligjit, rritjen e përgjegjshmërisë institucionale dhe mbrojtjen e integritetit të procesit zgjedhor.
Aktiviteti për mbledhjen e nënshkrimeve në Ferizaj do të vazhdojë deri në orën 15:00.