CILAT PROJEKTE SOLLËN DEPUTETËT E POZITËS PËR 3 VITE?
ASGJË!
Lënia e Ferizajt pa asnjë projekt të ri kapital për vitin 2024, shpërfaqi për të satën herë të pavërtetën e krekosjen qesharake të deputetëve të pozitës nga Ferizaj, të cilët veç propagandës, të pavërtetës lehtë të verifikueshme, nuk i sollën asgjë Ferizajt.
Madje, për ta vazhduar “vallen e turpit” në rresht disa prej tyre, përmes rrjeteve sociale, lansojnë të pavërteta për kinse projektet të reja kapitale të Ferizajt për vitin 2024 (madje duke keqlexuar e keqparaqitur buxhetin komunal në vend se të paraqesin buxhetin e Republikës – deputetët me disa mandate!!!) gjersa janë po ato projekte, të nisura qysh herët, projekte të vendosura me buxhet komunal, projekte të vazhdimësisë e asnjë nga to projekt i ri.
I vetmi përfaqësues i pozitës që u angazhua e solli projekte për Komunën e Ferizajt, është ai për zgjerimin dhe asfaltimin e rrugës në Zllatar dhe projektet për lokalitetin që përfaqëson, fshatin Zllatar e Dardani, për të cilën edhe publikisht kemi shprehur falënderimin për angazhimin, për kryetarin e fshatit Zllatar, Xhevat Sallahu.
Deputetët e pozitës i gënjen mendja, se qytetarët janë të painformuar e nuk ka dëshmi për këto projekte.
– Projekti i ndërtimit të QKMF-së nisi me memorandumin me Ministrinë e Shëndetësisë me ministrin Uran Ismaili, (2019) për të vijuar me këtë projekt me ministrin Armend Zemaj (2020) e për tu rimodeluar si projekt me ministrin Arben Vitia (2023) ku edhe nisën para pak javësh punimet, pra nuk është projekt i ri për vitin 2024.
– Projekti për ndërtimin e Stadiumit, është në kod buxhetor që nga viti 2017 e as ky projekt nuk mund të quhet projekt i ri kapital.
– Projekti për ndërtimin e Spitalit të Ri Rajonal më 2018 nisi punimet, madje pikërisht pretendimet e deputetëve të pozitës duke kërkuar “ekspertizë universitare” e akuza tjera të pabaza, prolonguan punimet e këtij “projekti të ri” që ka nisur punimet që më 2018!
– Impianti për trajtimin e ujërave të zeza është poashtu projekt i mëparshëm i diskutuar e ndërvepruar me partnerët (2021) ku vet qeveritarët nga Ferizaj, për neglizhencë burokratike, prishën këtë proces financuar me kredi hungareze e që edhe tani, si projekt synohet të zhvillohet në kushte të kredisë shtetërore.
Pra, asgjë për Ferizajn. Asnjë projekt i ri për Ferizajn. Nëse vazhdimi i punimeve në projekte të vjetra, nga ata që i bllokuan ato, tentohet të paraqitet si projekte të reja, atëherë këtë dallim, qytetarët mjaft mirë dijnë ta bëjnë.
Në mjegullën e shpifjeve e të pavërtetave që instaluan, në shterpësinë e rezultateve për ferizajasit nga të cilët morën besimin, e vërteta dhemb e dhembjen nuk e shërojnë gënjeshtrat.
Fotografitë, datat, dokumentet flasin, faktet janë kokëforta. Le t’i gjykojnë vet qytetarët, kur nisën këto “projekte të reja” që kanë vite që kanë nisur.
Për sqarim të qytetarëve ferizajas, Komuna e Ferizajt, vazhdueshëm i është drejtuar me kërkesa për mbështetje të projekteve, deputetëve të pozitës nga Ferizaj, ministrit nga Ferizaj e përgjigja është ndarja e investimeve kapitale për vitin 2024: Asgjë për Ferizajn!
Le t’i tregojnë deputetët e pozitës ferizajasve, aman, cilin projekt sollën për Ferizajn?