Deputetë të pozitës, në rrjetet e tyre sociale, për projektet e nisura qysh herët me financim qeveritar, tentojnë t’i mveshin si suksese të tyre. Kjo përveç karakterit manipulativ, është fyese edhe për mbamendjen e ferizajasve. Fjala vjen, memorandumi për ndërtimin e objektit të ri të QKMF-së është nënshkruar që në tetor të 2019-tës, gjersa projekti për ndërtimin e Kopshtit të Fëmijëve në rrugën “Rexhep Bislimi” pati filluar punimet në dhjetor të 2020-tës. Pra, që në dritën e fakteve, përligjet e vërteta se këto projekte, janë projekte të vazhdimësisë, janë projekte që po procesohen ndër vite. Akuzat publike e sulmet e pavenda, në kohën digjitale, ku lehtësisht verifikohen e vërtetohen këto pohime, janë akuza e sulme përtej diskursit politik, që nuk i shërbejnë fare ferizajasve.
Deputetë të pozitës, është e rrugës të tregojnë pse nuk kanë shtyrë përpara, duke i mbështetur projektet e dërguara me kohë nga ana e Komunës në hartimin e fundit të buxhetit e të mëparshmit, ose edhe më saktë, t’i paraqesin ferizajasve se cilat projekte të reja i sollën zgjedhësve të tyre në tri vitet e mandatit të tyre? Apo mjaftojnë këndet e lojërave për ta quajtur “investim madhor” për Ferizajn – kryeqendrën e ekonomisë?!
Gënjeshtrat kaq haptazi e publike, propaganda – të vetmen që e zhvillojnë, janë të dënuara të injorohen, duke mos merituar as të paktat rreshta për sqarim publik, përveç obligimit tonë që kemi para ferizajasve, për t’ia shpërfaqur të vërtetën e faktuar katërçipërisht.