Brigada e Zjarrfikësve në Ferizaj sot ka përfituar një donacion nga Brigada Shumëkombëshe Lindje e KFOR-it amerikan, e vendosur në Bondsteel.
Në ceremoninë e pranimit të donacionit ishte i pranishëm drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike dhe Emergjencave në Ferizaj, Alberton Sahiti, ndërsa donacionin e pranoi komandanti i Brigadës së Zjarrfikësve, Zymri Krasniqi.
Komandanti Krasniqi tha se ky donacion është shumë i rëndësishëm, pasi do të përmirësojë dukshëm kushtet e punës së zjarrfikësve dhe do të ndikojë në rritjen e kapaciteteve të tyre operative.
Pas pranimit të donacionit u nënshkrua edhe një memorandum bashkëpunimi ndërmjet KFOR-it dhe Brigadës së Zjarrfikësve në Ferizaj.
Në fund të ceremonisë, drejtori Alberton Sahiti falënderoi përfaqësuesit e KFOR-it për mbështetjen e vazhdueshme, duke theksuar se bashkëpunimi ndërmjet dy institucioneve do të vazhdojë edhe në të ardhmen.