Në ambientet e shkollës fillore të mesme të ulët “Visar Dodani” në fshatin Varosh, u mbajt takimi me banorët, që kishte për qëllim votimin e projektit të propozuar në kuadër të procesit të buxhetimit me pjesëmarrje.
Në prani të përfaqësuesve komunalë, banorët e fshatit votuan për realizimin e projektit për ndërtimin e një fushe sportive në lagjen “Musaj”.
Fshati Varosh është pjesë aktive e procesit të buxhetimit me pjesëmarrje – një iniciativë që synon të rrisë përfshirjen e qytetarëve në vendimmarrje dhe të forcojë demokracinë lokale përmes projekteve që burojnë drejtpërdrejt nga nevojat e komunitetit.
Në kuadër të këtij procesi, 1% e buxhetit të përgjithshëm për investime kapitale është alokuar për projektin që zgjidhet nga vetë banorët e zonës.
Ky zhvillim përfaqëson një hap konkret drejt transparencës, llogaridhënies dhe fuqizimit të komunitetit në drejtim të përdorimit efikas dhe të drejtë të buxhetit publik.