Habib Krosa ka lindur më 31 gusht 1985 në Ferizaj. Arsimin fillor e ka përfunduar në fshatin Varosh, ndërsa arsimin e mesëm në drejtimin Teknik i Komunikacionit Rrugor në Ferizaj. Studimet universitare i ka përfunduar në Fakultetin Juridik, dega Kriminalistikë, duke u diplomuar si jurist.
Ka mbi 10 vite përvojë profesionale si Menaxher Regjional i Burimeve Njerëzore në kompaninë “Pastreria” në Ferizaj, me angazhim të veçantë në menaxhimin e burimeve njerëzore, koordinimin administrativ dhe zhvillimin organizativ.
Angazhimi i tij institucional dhe qytetar përfshin një përvojë të gjatë në jetën publike dhe vendimmarrëse. Në vitin 2012 u zgjodh Kryetar i Nëndegës së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në Varosh dhe anëtar i Kryesisë së Degës së AAK-së në Ferizaj. Po ashtu, ka qenë anëtar i Këshillit Drejtues të AAK-së në nivel qendror deri në vitin 2021.
Në vitin 2019 u zgjodh Kryetar i fshatit Varosh, ndërsa në vitin 2021 ishte një nga themeluesit e Iniciativës Qytetare “Ne Mundemi”. Në të njëjtin vit u zgjodh Anëtar i Kuvendit Komunal të Ferizajt nga kjo iniciativë.